Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një deklarate u shpreh se vlerësimi i profesionistëve dhe njerëzve të përkushtuar është motoja e punës në Forcat e Armatosura.
Xhaçka mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandantëve të Forcës Tokësore. Albert Mullai mori detyrën e kombandantit të Forcës Tokësore duke zëvendësuar kështu general major Nazmi Cahanin, i cili e mbajti këtë post prej më shumë se 3 vitesh.
“Puna e palodhur, përkushtimi, profesionalizmi gjithmonë do të shpërblehen. Kjo është motoja e punës sonë, është motoja e punës sime është objektivi i punës sime është objektivi që ne i kemi vënë vetes dhe është standardi i panegociueshëm që ne do të zbatojmë në të gjitha strukturat e FA. Por puna dhe zhvillimi më tej i FT nuk ka përfunduar dhe kemi shumë sfida të tjera përpara.
Dua t’i shpreh dhe dua ta siguroj gjeneral Mullain se në Ministrinë së Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm do të keni gjithë mbështetjen e duhur për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët, përmbushjen e misionit që i është ngarkuar Forcës Tokësore dhe Forcave të Armatosura në përgjithësi”, u shpreh Ministrja Xhaçka.
Gjeneral major Nazmi Cahani dorëzoi detyrën duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij gjatë këtyre 3 viteve në krye të Forcës Tokësore.
Komandanti i ri i kësaj forcë general brigade Albert Mullai falenderoi ministren, Olta Xhaçka për besimin dhe sqaroi se fokusi i punës së tij do të jetë stërvitja dhe kujdesi për kushtet e punës, për të gjithë efektivët e Forcës Tokësore dhe familjet e tyre.
Ndërkohë general major Nazmi Cahani do të vazhdojë të vijojë të shërbejë në Forcat tona të Armatosura, si përfaqësues ushtarak në selinë qendrore të Natos në Bruksel.
Bëjmë me dije se pak muaj më parë, nën monitorimin e NATO-s u certifikua Grupi i Batalionit të Lehtë i Këmbësorisë, pjesë e Forcës Tokësore, ndërkohë që në qindra stërvitjet kombëtare efektivët e kësaj force nuk kanë qenë numra në formcaione, por kanë sjellë në vendin e tyre trofe e vlerësimet më të mira nga vendet e NATO-s.