Aleati i Putin, Viktor Orban i shkruan Berishës: Suksese në detyrat e reja me përgjegjësi të larta! Mbrojmë vlerat kristiano-konservatore

0
56
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri hungarez Viktor Orban falenderon ish-kryeministrin Sali Berisha për urimet, pas fitores për herë të pestë në Hungari.

Orban i ka dërguar Berishës një letër ku ndër të tjera i uron “suksese në detyrat e reja dhe me përgjegjësi të larta”, siç shprehet ai.

“Ju siguroj që do të mbetemi të angazhuar të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta kristiano-konservatore dhe të zhvillojmë gjithashtu marrëdhëniet shqiptaro-hungareze në të ardhmen”, shkruan ndër të tjera Orban në letrën dërguar Berishës.

Orban është një figurë kontraverse e akuzuar nga perëndimi për shkeljen e të drejtave të njeriut në Hungari, censurim dhe shtypje të opozitës. Mediat perëndimore gjithashtu e kanë konsideruar Orban si aleat të presidentit rus Vladimir Putin, për shkak të pozicionit që ka mbajtur pas pushtimit të Ukrainës, ai është cilësuar si “kali i Trojës së Putinit në Europë”.

Berisha dhe Orban kanë një “armik” të përbashkët, George Soros. Kryeministri populist i Hungarisë e ka shpallur “non-grata” filantropin multimilarder, të cilin e akuzon për “përmbytjen” e Europës me emigrantë nga Lindja e Mesme. Ndërsa Berisha e akuzon Sorosin si lobuesin kryesor për shpalljen e tij non-grata nga DASH.

Më poshtë letra e Viktor Orban:

Z. Sali Berisha,

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time për urimet tuaja pas fitores sonë në zgjedhjet parlamentare në Hungari.

Jam krenar që qytetarët hungarezë kanë shprehur besimin e tyre në një qeverisje të pavarur bazuar mbi vlera kombëtare dhe na kanë nderuar me besimin e tyre për të pestën herë tashmë. Besoj që ky mandat i fortë nuk është vetëm një garanci për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të Hungarisë, por është gjithashtu një qëndrim kurajoz për paqen dhe sigurinë e vendit tonë.

Ishte një nder t’ju prisnim në Budapest në vitin 2014 dhe të shkëmbenim pikëpamje mbi çështje që përcaktuan fatin e vendeve tona. E vlerësoj vërtetë miqësinë e hapur dhe të sinqertë që ju keni treguar kundrejt Hungarisë dhe popullit hungarez prej shumë vitesh tashmë. Ju siguroj që do të mbetemi të angazhuar të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta kristiano-konservatore dhe të zhvillojmë gjithashtu marrëdhëniet shqiptaro-hungareze në të ardhmen.

Ju uroj shëndet dhe shumë sukses në detyrat tuaja me përgjegjësi të larta.

I juaji me sinqeritet,

Viktor Orban

Zjarr Tv Ad