Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, ku ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave të kolegëve të tij demokratë se është “i shitur tek Edi Rama”.
Ai tha se opozita reale është shkëputja nga mentaliteti i 30 viteve, ndërsa shtoi se detyra e opozitës është t’u thojë qytetarëve shqiptarë të vërtetën.
“Opozita bëhet e ndjerë, nuk bëhet hipokrite. Nuk është të vish të bësh zhurmë dhe jashtë kësaj seanca të ndash klientë, afera. Ne këtu e kemi detyrim historik ndaj shqiptarëve që ta bëjmë opozitën e ndershme. E di që dara e 32 viteve vazhdon dhe ne do të dëgjojmë sharje e baltë por e kemi detyrim ta durojmë. Pazarxhinj ne? Është sakrificë e madhe t’i dalësh përballë 32-viteve pazare të fëlliqura. Jemi në fund, jemi ende në ‘Shqipërinë e duam si Evropa’ pikërisht prej këtyre që dëgjojmë këtu.
Ne jemi këtu me përulësi, pa bërë pazare. Kush bën pazare? Ata që votojnë hapjen e dosjeve? Ata që denoncojnë Portin e Durrësit? Ou, pazarxhinj ne? Që ngritëm komisionin për inceneratorët që disa nga ne nuk e votuan. Zhurmë! Në fakt ne jemi këtu tu themi të vërtetën shqiptarëve me përulësi.
Unë e kam për nder për të përfaqësuar shqiptarët. Secili prej këtyre deputetëve që përfaqësoj e kam për nder sepse përfaqësojnë nderin dhe ndershmërinë. Shoqëria kërkon një orë e më parë shkëputjen nga ky tranzicion banal 32-vjeçar”, tha Alibeaj.