Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Rusinë se Shtetet e Bashkuara nuk do të frikësohen nga kërcënimet e pamatura, pasi Vladimir Putin aneksoi katër rajone të okupuara të Ukrainës.
“Amerika dhe aleatët e saj nuk do të frikësohen,” tha Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë. Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus, duke drejtuar gishtin në kamerë.
“Amerika është plotësisht e përgatitur, me aleatët tanë të NATO-s, për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s,” tha ai, duke iu referuar bllokut perëndimor të sigurisë. “Zoti Putin, mos e keqkuptoni atë që po them: çdo centimetër”.
Ukraina nisi një kërkesë të re dhe të shpejtë për t’u bashkuar me NATO-n menjëherë pas fjalimit të Putinit.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina ka qenë prej kohësh një anëtare “de facto” e bllokut të sigurisë dhe akuzoi Moskën për rivizatim të kufijve “duke përdorur vrasje, shantazh, keqtrajtim dhe gënjeshtra”.
Stoltenberg hezitoi të pranonte kërkesën, duke thënë se vendimi u takonte 30 anëtarëve të bllokut.
Anëtarët e aleancës “nuk e njohin dhe nuk do të njohin” asnjë nga territoret e aneksuar si pjesë e Rusisë, u tha Stoltenberg gazetarëve, duke e akuzuar Putinin për “tronditje të papërgjegjshme bërthamore”. Ai e quajti aneksimin një “moment kyç” në luftë.