Analisti dhe gazetari Shpëtim Nazarko gjatë fjalës së tij në forumin e zhvilluar nga lëvizja e universitetit nëkuadër të protestës së pedagogëve ka deklaruar se propozimi i qeverisë për të pranuar rrogën dhe për të gjetur punë tjetër për të rritur të ardhurat është shumë e vështirë.
Sipas tij pedagogu kështu kthehet në nja hamall pasi nuk mund të përgatitet për të nesërmen dhe për detyrat e lidhura me pedagogjinë.
“Rezulton se ne jemi praktikisht në dorë të qeverisë që i bie shumë thjesht, ju do merrni këtë rrogë dhe po doni ta shtoni bëni një punë të dytë, kjo është shumë e vështirë, sepse pedagogu kthehet në një hamall, që nuk përgatitet për të nesërmen. Kërkimi shkencor është projekt individual, shumica ka një detyrë të lidhur me pedagogjinë. Vijmë te problemi kryesor, nuk do t’i gjejë gjithë këto para qeveria për të plotësuar kërkesat, mendoj se ka më shumë se mendojnë ata. Por, si?
Më parë bëhej jo vetëm mësim por edhe praktike, gjë që mund të ulë taksat e studentëve dhe të krijojë një borgjezi profesorale. Marrim një shembull tjetër, në vitin ’93 në Gjermani u është bërë thirrje universiteteve që të zgjidhnin një problem të vendit, po këtu kush do ta bëjë. Nuk mund ta bëjë dot një nëpunës i ministrisë, mund ta bëjnë pedagogët dhe profesorët që përbëjnë një arsenal të madh për këto probleme”, u shpreh Nazarko.