Pasi Prokuroria e Tiranës vendosi me një kërkesë të policisë, pa fakte dhe prova të reja, të hapë edhe njëherë çështjen e vrasjeve politike të 21 janarit, një pyetje retorike po gëlon në ajër: çfarë po ndodh me drejtësinë? Po të shikosh kronikën e muajit të fundit duket sikur prokuroria dhe gjykatat i kanë futur marshin e pestë për të rikthyer çështje që flinin në sirtarë prej kohësh.
21 janari, Gërdeci, gjykimi i ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, sekuestrimi i pasurive të ish gjykatësve të lartë dhe kushtetues. Por jo vetëm kaq. Këtë muaj duket se është zgjuar edhe Gjykata Kushtetuese.
Brenda pak ditësh ajo njoftoi se ka marrë vendim për konfliktin mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama, lidhur me mos dekretimin e ish kandidatit për ministër të jashtëm, Gent Cakaj. Menjëherë më pas ajo shpalli se do të gjykojë shumë shpejt edhe çështjen e çdekretimit nga Meta, të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, që përfunduan më pas në votime moniste.
Po të shikosh kalendarin e asj që ka ndodhur, përkimet janë të frikshme. Në 28 prill SPAK vendosi sekuestrimin e paurive për Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë).
Drejtësia e re sekuestron pasuritë e tre ish-gjyqtarëve të lartë
Në 6 maj, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkoi rihapjen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për shpërthimin tragjik të Gërdecit më 15 mars 2008.
Në 20 maj, Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Në 27 maj, Prokuroria e Tiranës i tha po kërkesës së policisë për të hapur hetimet për dy nga të vrarët e 21 janarit vdekjet e të cilëve kanë mbetur pa autor: Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Po ti shtosh kësaj axhende të ngjashur me ngjarje të mëdha për drejtësinë edhe hapjen brenda majit të dy gjykimeve për konfliketet president- kryeministër nga Gjykata Kushtetuese, duket qartas që ka një zgjim të rrufeshëm të institucioneve që qëndronin në letargji prej vitesh. Por, interesant është fakti se kjo breshëri çështjesh përkon vetëm me një datë: atë të përfundimit të zgjedhjeve.
E këtu problemi fillon e bëhet shqetësues, pasi kaq shumë përkime vështirv të jenë të rastësishme?
A mos kanë pritur edhe institucionete e reja, të sapodala nga reforma në drejtësi, pavarura në letër, rezultatin e 25 prillit për tu vënë në punë? A mos kalendari i tyre i drejtësisë paskësh qenë i lidhur me atë të politikës: shohim njëherë kush fiton dhe pastaj vendosim si do veprojmë?
Natyrisht, çdo njeri me bonsens është i bindur se edhe pasuritë e pajustifikuara të gjyqtarëve duhet të kalojnë në sitë edhe Fatmir Mediu nuk mund ti’a hedhe pa kaluar në një proces për Gërdecin edhe vrasjes së dy prej katër viktimave të 21 janarit i duhet shkuar deri në fund.
Por problemi nuk është këtu. Shqetësues mbetet fakti se e gjithë kjo stuhi, me goditje të përqëndruar, filloi pas 25 prillit dhe fitores së rilindjes. Dhe më keq akoma të gjithë ata që janë vënë në shënjestrën e drejtësisë vijnë nga radhët e kundërshtarëve apo të anatemuarve nga fituesit e zgjedhjeve. Nëse opozita, forca të tjera të pavaruara dhe shoqëria civile kanë bërë mbi 50 denoncime në SPAK për, korrupsionin, krimet elektorale abuzimet e pushtetit, asnjë prej tyre nuk është bërë pjesë e kësaj vale të vendosjes së drejtësisë.
Prandaj ajo që po ndodh ditët e fundit ngre në mënyrë legjitime pyetjen: A kemi hyrë në një fazë të vendosjes së drejtësisë, apo mos valë është hapur epoka e përdorimit politik të saj, nga fituesit e zgjedhjeve./LAPSI.AL