Analisti Andi Bushati thotë se prokuroria nuk mund të pengojë gazetarët për të publikuar lajme që janë në interes të publikut.
Në emisionin “Sot” në “Euronews Albania”, Bushati u shpreh se nuk është sekret shtetëror, fakti që policia i lejon banditët më të mëdhenj të lëvizin të lirë në kryeqytet.
“Nuk i takon autoriteteve shtetërore, drejtësisë, prokurorisë mbi të gjitha, të bëjnë rregullimin e mediave. Janë mediat ato që vendosin, çdo gjë që është në interes të publikut, i duhet dhënë publikut, pavarësisht se herë pas herë mund të duket sikur bie në kontradiktë me arsyen shtetërore, me interesat e qeverive.
Kjo që unë po them është e vlefshme për raste shumë më flagrante sesa ky i tanishmi. Unë nuk e kuptoj se çfarë sekreti ka për një gjë që e dinë të gjithë. Banditët më të mëdhenj të këtij vendi, policia e di ku janë dhe i lejon të bredhin mes kryeqytetit të lirë”, theksoi ai.
Prokuroria e Tiranës ka marrë vendimin që të dhënat të cilat bëhen publike nga autorët të cilët qëndrojnë pas sulmeve kibernetike, nuk duhet të publikohen më tej nga mediat.