Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me partitë e reja për zgjedhjet e 11 majit.
Ai tha në News24 se një nga elementet që e veçon Lëvizjen Bashkë është ndershmëria politike, e cila, sipas tij, njihet dhe pranohet edhe nga rivalët e partisë.
“Na e pranojnë ndershmërinë politike, është e rrallë” tha Qori.
Ai shtoi se një tjetër karakteristikë e Lëvizjes Bashkë është guximi politik, i provuar dhe fizikisht, përballë qeverisë dhe oligarkëve. Qori theksoi se partia e tij është anti-klienteliste, duke siguruar se nuk premtojnë vende pune, tendera apo PPP për askënd.
Ndërsa më tej shtoi se Lëvizja Bashkë po ndërton një program qeverisës me katër shtylla kryesore, ku në qendër është krijimi i një shteti zhvillimor dhe forcimi i institucioneve që mund të riorientojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Qori shtoi se Lëvizja Bashkë është gjithashtu e përqendruar në forcimin e shtetit social dhe mbështetjen e minimumit jetik për qytetarët. Sipas tij, Partia Demokratike ka vjedhur idenë e minimumit jetik nga Lëvizja Bashkë, por ai e cilësoi këtë “vjedhjen më të mirë”, me kusht që të mos vidhen paratë e qytetarëve.
“Ne jemi duke ndërtuar një program qeverisës me 4 shtylla, ku në qendër është shteti zhvillimor me institucione të forta që mund të riorientojë zhvillimin ekonomik të vendit duke përcaktuar disa sektorë strategjikë. Ne sot kemi shumë pak prodhim dhe atë ia shesim njëri-tjetrit brenda vendit.
Ne jemi të përqendruar edhe te shteti social, jemi pro minimumit jetik. PD e ka vjedhur idenë e minimumit jetik nga ne, por kjo është vjedhja më e mirë, vetëm të mos vjedhin paratë e qytetarëve. Ne sot kemi potencialet për të rritur ndjeshëm pensionin mesatar në të paktën 320 euro”, u shpreh ai.