Arrestohet në Mal të Zi, Viktor Marku, i dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës. Arrestimi i tij u bë në Tuz, në bashkëpunim me policinë malazeze. Viktori dyshohet se ka hartuar planin e hakmarrjes për vrasjen e të vëllait në 2006 në Angli nga Hekuran Billa. Të mërkurën policia arrestoi nipin e Prel dhe Viktor Markut, 22-vjeçarin Sebastian Mali. I riu u identifikua nëpërmjet qelizave telefonike në zonë dhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë. Kjo makinë e cila parkohet pak minuta para ngjarjes në komunën e Parisit rezulton se drejtohej nga Sebastian Mali.
Ky automjet tip “Audi” figuron në pronësi të një personi tjetër që është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka treguar që makinën e tij e kishte marrë i riu. Deri më tani nga verifikimet e hetuesve bëhet e ditur se 22-vjeçari Mali i ka qëndruar pranë makinës së atentatorëve, duke u ndjekur ata. I riu është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, teksa ka mohuar akuzat duke pretenduar se ndodhej në zonë për punët e tij, pasi do takonte një vajzë.
Sebastian Mali u arrestua pasditen e të merkurës në zonën e Parkut të Autobusave, në afërsi të një servisi makinash, ndërsa pritet që gjatë fundjavës të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.Prej ekzekutimit të 40-vjeçarit policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar bashkëpunëtor në vrasjen e Billës. Mes të shoqëruarve janë disa persona nga Shkodra, të afërt të familjes Marku.