Nga Ylli Dylgjeri
Pas deklaratave të bëra një ditë më parë nga Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili tha se Greqia ka të drejtë të shtrihet 12 milje pasi ka arritur marrëveshjen me Shqipërinë dhe se me tu larguar Presidenti Meta qe eshte pengesa kryesore, gjithshka do te mbyllet shpejt, nuk ka patur asnjë reagim nga shteti shqiptar. Përpos që nuk ka patur asnjë reagim nga shteti shqiptar i cili nuk ekziston prej kohësh, sepse shtet shqiptar sot do të thotë vetëm kryeministër, por nuk ka patur asnjë reagim as nga Parlamenti dhe as nga Opozita pervec Deputetit dhe Nënkryetarit të LSI Petrit Vasili, a thua se deti ynë nuk i përket te gjithe shqiptareve…!?
Nuk ka patur reagim as edhe nga inteligjenca, por edhe nga shoqëria civile të cilat si duket asnjëherë nuk kanë ekzistuar në Shqipëri, sepse ato duken si kërpudhat pas shiut dhe komandohen sikur me telekomandë nga partitë politike në pushtet.
Nuk kanë reaguar dhe i ka ikur tërësisht goja edhe disa “atdhetarëve të papërmbajtur”dhe “patriotëve të mëdhenj” të cilët ndoshta nuk njiheshin më parë, por sovrani i bëri të njohur kur partia në opozitë “mbronte” me “fanatizëm” tërësinë territoriale, të cilën e nxjerr në shitje ditën kur vjen në pushtet. Nuk di ku hanë miza kjo racë patriotësh të shëmtuar me dyfytyrësi dhe maska partiake që vokacionin e kurajës civile nuk e kanë aspak më të gjatë, se ajo e militantit më të përdhunuar partiak.
Nuk ka reaguar as inteligjenca që na përfaqëson me dinjitet në institucionet ndërkombëtare.
Nuk kanë reaguar as artistët e pashembullt, ambasadorët e kulturës sonë, madje nuk kanë reaguar as ata që kërkojnë prej kohësh çmimin “Nobel” të cilin në këtë çështje do të kishin rastin më të përshtatshëm për ta marrë dhe për të bërë ëndrrën e vjetër realitet.
Nuk kanë reaguar as shqiptarët e thjeshtë, ata që e kanë pronë territorin, madje as ata që rrojnë me produktet e atyre ujërave si eskluzivi i peshkut Luca, që pas kesaj firme do të gllabërohen një herë e mirë nga grabitqari grek, sepse në këto kohë të vështira shteti shtypës që kemi krijuar ka qënë dhe do të mbetet përherë primus movens, që krijon gjithçka, si lirinë por edhe të kundërtën e saj. Në rastin tonë shteti autoritar e ka tharë deri në rrënjë ndjenjën e shpirtin e patriotizmit, të mbojtjes së tërësisë territoriale, të asaj që quajmë atdhe.
Nuk ka reaguar as diaspora e shpërndarë anembanë botës që “lëngon” karshi çdo lloj padrejtësie, proteston edhe për ngritjen më të vogël të çmimeve dhe nuk ka patur kurajën të reagojë për atë që nuk ka çmim dhe është “malli” që nuk mund të prodhohet asnjëherë dhe që quhet tokë, vend, det, territor i sovranit, atdhe.
Nuk kanë reaguar as shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Çamërisë, a thua se nuk e dinë që kjo hapësirë perlë detare, që do të shkëputet me vullnetin e atij që kemi zgjedhur të menaxhojë dhe ruajë territorin tonë, nuk i përket po njësoj edhe vetë atyre?!
Nuk kanë reaguar as edhe një pjesë e tyre që i konsiderojmë elitë, të urtë, që sensibilizohen dhe reagojnë edhe për padrejtësitë më të vogla të zgjedhjes së strukturave partiake dhe për reagime përtej etikës normale të politikanëve në politikbërjen e përditshme.
Nuk kanë reaguar as ndërkombëtarët, ata që na monitorojnë me kujdes, ata që llogaritin drejt me mënyra, vetting edhe qindarkat e zyrtarëve të korruptuar, ata që nuk lejojnë asnjë shkelje të të drejtave të njeriut dhe që reagojnë deri tek strukturat më të larta të organizmave ndërkombëtare.
Rasti i shkëputjes së tërritorit tonë me anë të një marrëveshje sekrete me palën greke,
e konsiderojne sekrete, sepse ajo është e pakuptueshme në tërësinë e saj, nuk është bërë asnjëlloj trasparence dhe interpretimi për publikun për të mësuar se cilat do të jenë efektet e saj deri ku dëmtohen interesat e publikut shqiptar dhe cili është territori që humb Shqipëria, cili është territori që humb sovrani, sepse deri tani rekuizitat e kësaj marrëveshjeje nuk kuptohen as nga specialistët më të mirë të fushës.
Sepse çështja e kësaj marrëveshjeje nuk është sikurse rasti i PPP me të cilat pushteti ka dhënë me koncesion tërë pasuritë publike të shqiptarëve, nuk është as sikur Butrinti i grabitur me “ligj” këto ditë, të cilat kanë një afat; kur përfundon koncesioni dhe më në fund pas një shfrytëzimi barbarar do t’i kthehen përsëri publikut. Rasti i detit që lëshohet me kaq lehtësi e ka çmimin sa një karrike pushteti, sa një karrike kryeministri, sa mbushjet e xhepave vetëm të një personi, sa egoja, deliri dhe makutëria e një individi që akoma nuk e ka kuptuar që:
“Ajo që shkakton më shumë zili, është pasuria pa pushtet, pra pasuria intelektuale” sikur thotë me shumë të drejtë Hanna Arend.
Rasti i shkëputjes së këtij territorri është shkelja më e rëndë e kushtetutës dhe do të duhej të bëhej çështja më e rëndësishme që prokupon shqiptarët edhe sikur kjo marrëveshje të ishte bërë në favor të shqiptarëve por duke marrë në konsideratë faktin që ëshë bërë pa asnjë lloj trasparence tregon qartazi që është bërë në dëm tërësisht të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Rasti i shkëputjes, vjedhjes dhe grabitjes së këtij tërritori është po aq i rëndë sa agresioni Rus në Ukrainë dhe në këto kohë të vështira që jetojmë do të provokojë kriza të mëdha në zemër të Ballkanit dhe të Europës të cilat do të kënaqin vetëm një grusht ekstremistësh grekë që nuk janë ngopur me territore dhe pasuritë shqiptare që kanë grabitur dhe shfrytëzojnë prej vitesh në Çamëri.
Rasti i grabitjes dhe shkëputjes së këtij territori i provoi shqiptarëve, përpos gjithë kësaj drame dhe tradhëtie kaq të madhe, se i vetmi që i paska ruajtur, sikurse është betuar në kushtetutën e tyre, është Presidenti i Republikës Ilir Meta, që po i numërohen me padurim ditët nga tradhëtia shqiptare dhe dinakëria e vjetër greke.