Athinë-Shkup, rikthehen fluturimet e drejtpërdrejta ajrore

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas më shumë se një dekadë pa lidhje të drejtpërdrejtë ajrore, Greqia dhe Maqedonia do të hedhin pas shpine bllokadën e fundit të aviacionit në Europë. Të enjten u nis fluturimi i parë i drejtpërdrejtë nga Aeroporti ndërkombëtar i Athinës drejt kryeqytetit maqedonas, Shkup. Zyrtarët e quajtën këtë një moment historik në lidhjet dypalëshe, me vendet që duket se po ecin drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes së hershme mes tyre në lidhje me emrin e Maqedonisë. Shërbimi, që do të kryhet nga kompania më e madhe greke “Aegean Airlines”, do të kthejë fluturimet Shkup-Athinë dy herë në javë.

Zv.kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani është një nga pasagjerët e avionit në fluturimin përurues. Më herët, udhëtarët duhet të përballeshin me 8 orë rrugë me makinë nga Athina në Shkup, ose merrnin fluturime lidhëse përmes Stambollit apo Vjenës.

Lidhja ajrore u ndërpre në vitin 2006, kur qeveria e atëhershme e Maqedonisë zgjodhi të emëronte Aeroportin e kryeqytetit “Aleksandri i Madh”. Greqia e konsideroi hapin si një kërcënim për trashëgiminë e saj kulturore, duke argumentuar se kjo ofronte edhe më shumë prova që flisnin për qëllimet e Maqedonisë për pretendime territoriale kundrejt provincës greke të Maqedonisë, ku bën pjesë edhe qyteti i Selanikut.

Në qershor, të dyja vendet arritën një marrëveshje historike, sipas së cilës Maqedonia do të ndryshojë emrin në Maqedonia e Veriut. Emri i “Aleksandrit të Madh” u hoq nga infrastruktura publike, përfshirë edhe Aeroportin e Shkupit. Tani pritet sfida e madhe, ajo e jetësimit të marrëveshjes, që më pas do t’i hapë rrugën edhe anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

 

Zjarr Tv Ad