Pas skandalit të publikuar nga Fiks Fare, ku punonjëset e azilit të Fierit vidhnin ushqimet e të moshuarve, këtë institucion e ka vizituar Avokatja e Popullit.
Por edhe pse në videon e publikuar nga Fiks Fare të moshuarit ankoheshin që nuk hanin mjaftueshëm, Avokati i Popullit në njoftimin në rrjetet sociale shkruan se këta të moshuar nuk kishin ankesa për mungesën e ushqimit, por vetëm disa prej tyre ngritën pretendime vetëm në lidhje me cilësinë e gatimit e jo me sasinë e tij.
Gjithashtu Avokati i Popullit thotë se Shtëpia e të Moshuarve Fier herë pas here nëpërmjet komisionit të ngritur brenda institucionit kryente kontrrollin e gramaturës së ushqimit dhe cilësisë, sipas ankesave të bëra nga të moshuarit.
Edhe në fotot e publikuara nga Avokati i Popullit, shihet se të moshuarit i kanë pjatat plot me ushqime.
Njoftimi i Avokatit të Popullit:
AVOKATI I POPULLIT INSPEKTON SHTËPINË E TË MOSHUARVE NË FIER
Pas denoncimit në media në lidhje me trajtimin ushqimor në Shtëpinë e të Moshuarve në Fier, Avokati i Popullit ka kryer në mënyrë të menjëhershme një inspektim për të verifikuar nëse pretendimet e ngritura qëndrojnë e nëse po, për të përpiluar një liste me rekomandime drejtuar autoriteteve.
Gjatë inspektimit në institucion u verifikua se ishin të akomoduar 50 përfitues. Gjithashtu në Shtëpinë e të moshuarve ishin funksionale 11 kamera vëzhgimi përfshi edhe mensën.
Sistemi i ankesave funksiononte, ankesat kërkesat depozitoheshin në kutinë e vendosur në qendër dhe ajo hapej çdo muaj nga komisioni i përbërë nga punonjësja e shërbimit social shtetëror një i moshuar i qendrës dhe një punonjëse e institucionit.
Institucioni herë pas here nëpërmjet komisionit të ngritur brenda institucionit kryente kontrrollin e gramaturës së ushqimit dhe cilësisë, sipas ankesave të bëra nga të moshuarit.
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit morën takim me të gjithë të moshuarit, të cilët deklaruan se nuk kishin ankesa për mungesën e ushqimit. Disa prej tyre ngritën pretendime vetëm në lidhje me cilësinë e gatimit e jo me sasinë e tij.
Gjithashtu u krye kqyrja e pamjeve filmike të disa datave ku u konstatua se dreka ishte e bollshme dhe nuk kishte mungesa.
Për problematikat e tjera që do konstatojë, Avokati i Popullit do të hartojë rekomandimet përkatëse drejtuar Bashkisë Fier dhe shërbimit Social Shtetëror.