Nga Ilir Gjini
Balla hyn e Çuçi del, për Rrahmanin duhej një ministër bedel. Po a do ndodhte ky “tërmet” nëse në sytë e gjithë publikut nuk do kishte një video-masakër? Sigurisht që jo. As “skuadra e bejzbollit” Rrahja që masakroi dy qytetarë të gjorë nuk do ishte arrestuar, as Rrahmani nuk do dorëzonte mandatin dhe aq më pak Çuçi. Do thoshin këto ndodhin kudo në botë, madje bëhen edhe filma.
Ju kujtohet vetëm disa muaj më parë, specialët e repartit Renea vajtën të arrestonin Ramazanin, nipin e deputetit Rrahman, si i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoji, po aty në vend të Ramazanit gjetën deputet Rrahmanin dhe kështu që drejtësia mbajti ca kohë “Ramazan” për fisin Rraja. Ju kujtohet kur djali i deputetit Rrahman dhunonte një vajzë, deri duke i fikur cigare në trup ç’ndodhi?
Balla që do drejtojë ministrinë e Sigurisë Publike thoshte se polici Nuhu që guxoi të vepronte ndaj Rrahmanëve, kishte marrë 10,000 euro për të shpifur. Rama e mbrojti Rrahmanin si burrë zotni që merr votat e komunitetit. Edhe pse familjarët e Rrahmanit ishin të kërkuar nga Belgjika në Tiranë për trafiqe e krime, Rama e bëri prapë deputet në zgjedhjet e fundit. Po pse e bëri Rama Rrahmanin deputet, se gjashtë vite ka Rrahmani deputet, po në këto 6 vite, 6 fjali nuk i ka thënë në parlament.
E bëri pikërisht për “skuadrën e bejzbollit” që përhap terror, si dhe për paratë e trafiqeve të paligjshme e guroreve të “ligjshme”, që duhen për të blerë vota. Emërimi i Ballës për të vënë rendin nga Rrahmanët e hurit, është epilogu i shëmtuar i shtetit të Rrahmanëve. I dyshuar për lidhje me njerëz të botës së krimit të tipit Plarent Ndreca e Edmond Bengo, edhe mbështetësja më e zjarrtë e qeverisë, Ambasadorja Kim, sapo shikonte Ballën në ndonjë aktivitet, ikte nga sytë këmbët.
Emërimi i Ballës minister i Brendshëm është sikur tufës së deleve t’i vësh ujkun bari. Kjo do pasojë një seri dështimesh pas kryedështimit, Reformës në Drejtësi. Do kemi një përmbyllje të kapjes totale të shtetit nga partia-shtet. Një Rrahman në krye të rendit, Rrahmanin tjetër investitor strategjik (burrin e ministreshës Xhaçka) dhe Rrahmanet Balluku-Felaj që kane privatizuar Drejtësinë. Mirë do ishte që nënkryetaria e Kuvendit Felaj teksa u bën rreshtore deputetëve të opozitës kur ngrenë ndopak zërin, të propozonte ndryshimin e emrit te Prokurorisë së Tiranës, në “Prokuroria Felaj”.
Me këtë situatë sinoptike, koha do jetë vetëm më diell në zgjedhjet parlamentare 2025 për qeverinë Rama, ndërsa breshër e furtunë për opozitën Berisha. Madje Rrahman Ramës, për fitoren spektakolare në 2025, nuk do t’i duhen as patronazhistët e aktivistët. Do u mjaftojë aktivisti i fundit që mban pseudonimin “Buzëqeshja”. Ai zgjidhet gjithmonë në vapën përveluese të korrikut dhe humbet në vapën jo aq përvëluese të qershorit. E njihni të gjithë. Quhet Lulzim Qesh-Shumë Basha.