Teksa sot është njoftuar se do t’u shemben banesat, 6 familje, të përbëra nga 32 persona, janë duke protestuar dhe kundërshtuar vendimin, pasi pronat e tyre preken nga autostrada Thumanë-Kashar. Ata theksojnë se nuk janë dëmshpërblyer dhe nuk janë në skemën e dëmshpërblimit.
Disa prej familjareve kanë hipur tarracën e njërës prej shtëpive dhe kërcënojnë me hapa ekstreme.
Familjarët kanë paralajmëruar se do të spërkaten me benzinë dhe do t’i vënë flakën vetes nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
Banorët denoncojnë se janë mashtruar dhe se në skemën e dëmshpërblimeve kanë hyrë vetëm familjet që kanë paguar para.
“Na kanë nxjerrë jashtë. Duam dëmshpërblimin ose banesa. Nuk ikim nga këtu. Kam bërë gati shishen e benzinës do të digjem këtu. Kanë dy muaj që vijnë rreth shtëpisë tonë. Shteti nuk ka marrë asnjë masë. Edhe në komisariat kur kemi shkuar na kanë përzënë.
Jemi 6 familje, 40 persona”, thotë një prej aty.
“Në fillim na thanë që do të na shpërblenin pastaj na thanë nuk do të merrni asgjë. Nuk na ka ardhur asnjë njoftim. Erdhi një procesverbal dje që na tha lironi menjëherë shtëpinë. Kërkojmë strehim. Nuk kemi ku të shkojmë, jemi në qiell të hapur. Kemi fëmijë ku do të jetojnë ata? Ata që paguan morën, ne jo”, thotë një tjetër.