Banorët e 5 pallateve në lagjen nr.5 të cilët u prekën nga tërmeti i 2019 në Durrës kanë protestuar këtë të mërkurë përpara Bashkisë pasi janë njoftuar se do të zhvendosen në banesat e ndërtuara në periferi të qytetit.
Kjo është e disata protestë që këta banorë bëjnë përpara bashkisë pa marrë asnjë përgjigje.
Ky është problemi i afro 1000 banorëve të kësaj zone të cilët tashmë prej një jave u është thënë se pallati nuk do të ndërtohet në gjurmën e mëparshme dhe se ata do të vendosen në zonën e Spitallës.
Qytetarët janë kundër këtij vendimi dhe shprehen se me ta po punohet me dy standarde.
“Kërkojmë që shpia të bëhet aty ku është, nuk e kuptoj si duan një pjesë të na çojnë në Spitall dhe një pjesë ta lënë aty ku është. Kërkoj mbështëtjen tuaj që na mbështesni gjithmon në kauzat tona, bonuset s’po i marrim, pronarët e shtëpive me qera që kemi marrë duan të na nxjerrin nga shtëpitë” thotë një prej banorëve.
Në mbështetje të banorëve këtë herë ka qenë edhe përfaqësuesja e PD znj. Ilirjana Koçana e cila u ka dalë krah banorëve dhe është shprehur se kjo çështje nuk mund të politizohet.
Banorët shprehen se ky është një vendim i padrejtë, pasi vendosja në atë zonë ndikon drejtpërdrejt në jetesën e tyre. Pjesa më e madhe e familjeve janë me të moshuar dhe fëmijë të vegjël dhe kanë larg një sërë shërbimesh, siç janë spitalet, kopshtet e shkollat. Ata duan banesat aty ku i kanë pasur.
Ndërkohë problem për ta vijon të mbetet bonusi i qirasë, banorët kanë 3 muaj pa e marrë bonusin ndërkohë që çmimet po rriten në mënyrë të papërballueshme.
“Emri bonusit qerasë na ka dalë që në mars dhe akoma s’kemi marrë lek, po rrijmë derë më derë, s’kanë fonde thonë sa herë shkojmë, thonë se do presim” shprehet një banore tjetër.
Të pyetur se cilat janë masat që ata do të marrin në rast se institucionet nuk reagojnë për problemet që ata kanë, qytetarët janë shprehur se do të vijojnë protesta para bashkisë.
“Pallati jonë ka tre vite që presim të bëhet, tjetrin përball po e ndërtojnë aty ne na përcjellin nuk na japin asnjë përgjigje. Na shohin nga dritaret, sa na shohin kycin dyert e na përcjellin nëpër zyra, nuk na japin zgjidhje.”