Basha, e cilëson si “vijë e kuqe” situatën e krijuar me banorët e Unazës së Re, të cilët preken nga Unaza e Madhe, dhe kërkojnë dëmshpërblim për objektet e tyre.
Basha e cilësoi si tragjedinë e 1000 familjeve, të cilat kërcënohen me prishjen e 317 objekteve nga Edi Rama në kundërshtim me ligjin.
Sipas tij, faktet janë të rënda dhe nuk kanë nevojë për interpretim, ndonëse siç tha ai ka dy javë që Edi Rama dhe “lukunia e hajdutëve” po i ushqen opinionit publik mashtrime dhe gënjeshtra me shpresën se do ja hedhë pa u lagur, duke shkatërruar shtëpitë e qytetarëve për të mbushur xhepat.
“Afera e Unazës së Madhe është vjedhje e hapur nga Edi Rama. Përbëhet nga dy komponent, rrëmbimi i taksave dhe rrëmbimi i pronave të afro 1000 familjeve. Çdo ligj i mundshëm është shkelur! Është bërë vjedhje rekord prej 40 milionë euro, ose 2 mijë euro për një centimetër të kësaj rruge. Ky është çmimi me të cilat Rama po vjedh paratë tuaja”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati deklaroi se e gjithë skema e prokurimit është korruptive dhe nuk ka patur garë, ndonëse siç tha ai ARRSH gjoja ka hapur tender dhe pastaj janë futur 3 operatorë secili me ofertë maksimale ku pas çdo gjëje sipas Bashës, qëndrojnë vëllezërit Hysa.
Lideri i opozitës tha se garë nuk ka patur, çmimi i prokurimit është rekord, dhe çdo gjë është bërë pa leje ndërtimi.
Po ashtu deklaroi se janë 40 milionë euro në lojë dhe nuk është hedhur asnjë kacidhe për të dëmshpërblyer pronarët.
Ai tha se asnjë banorë nuk është zaptues dhe se të gjithë e kanë blerë tokën dhe janë taksuar, janë në proces legalizimi dhe janë legalizuar dhe se i vetmi moment ku cenohen, është kur i cenohet “megaaferra 40 milionë euro me 2 mijë euro për një gisht asfalt”.
Për kryedemokratin, Rama ka shpikur Partneritetin Publik Privat, për të vjedhur shqiptarët.
Basha tha se kur ishte artist vidhte ikona, kur u bë kryebashkiak vidhte leje ndërtimi dhe tani vjedh me PPP-të