Kryetari i Partisë Demokratike, Lulizm Basha ka zbritur në terren, ku ka parë nga afër situatën e bizneseve, të cilët u rihapen pas një periudhë dy mujore.
Basha thotë se qytetarët distancimin social e kanë respektuar, por ajo që mbetet shqetësim është situata ekonomike, e cila u rëndua nga pandemia e koronavirusit.
“Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listpagesat.
Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt.
Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare”, shkruan Basha në Facebook.