Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar të patolerueshëm reagimin e Bashkimit Europian lidhur me miratimin e statusit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës.
Në fb, Haradinaj, thotë se deklarata e e zëdhënëses e BE-së Maja Koçijançiç për mediat serbe se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë cënon sovranitetin e Kosovës.
Madje Haradinaj shkruan se ‘BE-së i ka humbur rruga në oborr’.
Postimi i plotë i Haradinajt
Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës.