Fatmir Bektashi, u paraqit këtë të hënë në SPAK. Avokati i ish-kryeministrit Genc Gjokutaj, tha për Euronews Albania se pavarësisht heshtjes së tij në momentin që doli nga Prokuroria e Posaçme, ortaku i dhëndrit i Jamarbër Malltezit, foli shumë.
Sipas tij prania e ndërtuesit të kullave në ish-kompleksin Partizani, nuk ka lidhje me Berishën, pasi ai nuk është deputet i Kuvendit dhe për të nuk ndiqen procedura parlamentare.
“Këtu ka një ndarje të madhe. Zoti Bektashi nuk e ka këtë cilësi të veçantë dhe ai vijon me procedurën e zakonshme, por për rastin e zotit Berisha dhe këtu nuk e di a jeni në dijeni dhe keni kuptuar thelbin e këtij debati, por zoti Berisha është deputet i Kuvendit, kështu që ata kanë detyrimin ligjor që të kalojë procedurën parlamentare. Së pari, detyrimin e kishte SPAK-u për ta çuar në Kuvend dhe në mungesë të dëshirës së SPAK-ut, duhej gjykata që SPAK-ut t’ia kthente mbrapsht me arsyetimin se nuk është rruga Gjykata Anti-Korrupsion për dhënien e autorizimit të një deputeti siç është zoti Berisha, por rruga e duhur është Kuvendi i Shqipërisë dhe nëse ata japin autorizimin Gjykata legjitimohet për të vazhduar me procedurën e caktimit të masave shtrënguese, siç ka vepruar, por jo në mënyrë kushtetuese,” – u shpreh Gjokutaj.