Ditën e premte, më 12 korrik, Këshilli i Bashkisë Berat nderoi me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes ish zv.ministrin e brendshëm z.Ferinand Pone.
Nën shoqërinë e mikut tim Bislim Ahmetaj, në cilësinë e bashkëpunëtorit të Ferdit për disa vite si drejtor i përgjithshëm në MB, pata nderin të isha i ftuar nga Bashkia duke mbajtur një fjalë në këtë ceremoni të veçantë që u zhvillua në prezencën e nënës së të ndierit, bashkëshortes Meri, dy djemve, kryetarit të bashkisë z. Petrit Sinaj, familjarëve, miqve dhe të afërmve të tij.
Ferdinand Poni e ka merituar plotësisht nderin dhe respektin që shprehën për të bashkëqytetarët jo thjesht për dashurinë që kishte ai për qytetin dhe qytetarët e tij, por më shumë për kontributin dhe punën e një jete të shkurtër, por intensive, në fillim në edukimin e brezit të ri si mësues matematike, e më tej si personaliteti dhe profesionisti më i mirë që ka patur shteti shqiptar në këto 28 vjetë në fushën e pushtetit vendor, decentralizimit dhe demokracisë lokale.
Ferdi do mbahet mend nga të gjithë qytetarët shqiptarë të kësaj gjenerate si njeriu që punoi me pasion jo vetëm për decentralizimin, hartimin e ligjeve dhe akteve të shumta administrative në funksion të qeverisjes vendore, por edhe për modernozimin e sistemit të paisjes me kartat e idenditetit dhe pasaportat biometrike të qytetarëve shqiptarë, gjë që mundësoi lëvizjen e lirë jashtë shtetit të tyre pas një izolimi 50 vjeçar.
Kush ka bashkëpunuar me Ferdinandin ka dalluar tek ai një funksionar të lartë të shtetit që punonte me pasion, profesionalizëm, skrupulozitet, këmbëngulje, i palodhshëm, manjak i rregullit, korrekt me ligjin, i drejtë, besnik, mik, trim, patriot që e donte Shqipërinë dhe shqiptarët, parimor dhe paritar me ndërkombëtarët,( pak gërnjar me ta, familjar, por armik i vetvetes.
Vetja e tij ishte e fundit në rradhën e gjërave për të cilat mendonte dhe për të cilën kujdesej.
Miku ynë Ferdinand Pone jetoi një jetë të shkurtër, por intensive.
Ai nxitonte për gjithçka. Gjithçka kërkonte ta bëne shpejt e shpejt sikur ta ndiente se koha që zoti i kishte taksur në dispozicion për të jetuar do të ishte aq e pakët.
Pikërisht këtu qëndronte merita e tij, se në një kohë kaq të shkurtër që jetoi, Ai la pas një bilanc të pasur arritjesh dhe suksesesh personale e profesionale.
Natyrisht, sot, Ferdinand Poni i mungon familjes, miqëve dhe të afërmve.
Familjes së tij politike i mungon specialisti më i mirë që kishte për zgjedhjet dhe qeverisjen vendore, ndërsa shtetit shqiptar i mungon funksionari model, emri i të cilit merr edhe më tepër vlerë po ta mendosh se çfarë çapaçulësh e kanë zëvendësuar në detyrën e tij ministrore.
Edhe një herë gjej rastin ta falenderoj Këshillin dhe Kryetarin e Bashkisë Berat për respektin që më bënë duke më dhënë mundësinë të shprehja dy fjalë si mik i afërt i Ferdit në atë ceremoni të bukur ku me këtë rast takova nënën e tij plakë, plot qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të mi që nga koha kur ushtrova detyrën e Prefektit të Qarkut aty.
I paharuar do mbetet kujtimi i Ferdinand Pones. Fëmijët e tij të mirë do jenë krenarë me babanë e tyre, nëna, bashkëshortia dhe miqtë gjithashtu.