“Berisha më kontaktoi vetë, më tha që arrestuan Abin”, avokati i ish-kryeministrit: Meraku i tij i vetëm është…

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Genc Gjokutaj ka deklaruar se ka qenë vetë Berisha që e ka kontaktuar për të qenë avokati i tij, pasi iu njoftua se SPAK ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, në lidhje me akuzat për privatizimin e kompleksit Partizani.

“Kanë arrestuar Abin (Jamarbër Malltezi)”, zbulon Gjokutaj se i ka thënë Berisha kur e ka telefonuar.

“Vetë zoti Berisha më kontaktoi. Berishën e njoh prej 1992. Më kontaktoi dhe më thotë se je në dijeni. Kanë arrestuar Abin”, tha avokati gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Më tej ai shprehet: “Unë në fakt bëra verifikimet e mia të shpejta sesi duhet bërë shërbimi që të kemi një strategji të qartë ku jemi dhe ku do të shkojmë dhe gjëja e parë që konstatova është fakti që SPAK ka kërkuar masat, veçanërisht Berishën, pa procedurë. SPAK mbrohet që ne nuk shkuam në Parlament për arsye sepse detyrim paraqitje dhe moslejimi jashtë vendit, nuk është heqje lirie. Ne kemi kallëzuar gjyqtaren për shpërdorim detyre.”

Gjokutaj më tej tha se në këtë proces, pjesën politike po e bën Berisha dhe se së bashku me avokatin Sokol Mengjesi, po përqendrohen te çështja juridike.

“Ndihem komod për një fakt, sepse pjesën politike më mirë se Berisha nuk e ka bërë njeri. Ne do të përqendrohemi te pjesa juridike. Është bashkëpunues me median, publikun dhe kaq bashkëpunues duhet të jetë me drejtësinë, por në momentin kur të rivendoset kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e këtij procesi. Besojmë se pjesëmarrja në një proces antikushtetues e legjitimon shkeljen”, tha Gjokutaj.

Në lidhje me pyetjen sesa kohë do të marrë procesi ndaj Berishës, ai tha: “Nuk mund ta japë këtë përgjigje tani. Jo se nuk njoh afatet, por çështjet ku mplekset politika shpejtësia e procesit nuk mund të parashihet në afate.”

Zjarr Tv Ad