Parlamenti i hoqi dje mundësinë Presidentit të Republikës që të bllokojë emërimin e gjyqtarëve apo kryeprokurorit duke mos organizuar ceremoninë e betimit. Me 86 vota pro mazhoranca i vendosi kreut të shtetit 10 ditë kohë për të thirrur në ceremoni magjistratin.
Lidhur me kalimin e këtij ligji ka reaguar zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ai shprehet se ligj u miratua në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë. Sipas tij çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.
Tedi Blushi: ‘’Të nderuar kolegë gazetarë! Kam marrë shumë pyetje nga ju, lidhur me ligjin që ka kaluar Kuvendi dje në mbrëmje vonë, nëse është apo jo në shkelje të Kushtetutës.”
”Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.’’
‘’Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.
Së dyti, për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.
Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.
Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.’’