Kriza energjetike që ka prekur vendin në muajt e parë të vitit është konfirmuar edhe nga të dhënat zyrtare të INSTAT.
Në një raport të publikuar së fundmi konstatohet se prodhimi i energjisë elektrike gjatë periudhës janar-mars ka rënë me 2.5 herë krahasuar me të njëjtin vit më parë.
Si rezultat vendi është detyruar që të blejë më shumë energji elektrike duke krijuar një kosto të lartë për financat në vend duke kapur vlerën e mbi 110 milionë eurove.
Rënia e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e parë të vitit 2019, ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike me rreth 7.9 herë. Por në kohën kur vendi po vuan për energji dhe hidrocentralet varen tërësisht nga reshjet shpëtim nga kjo situatë do të ishte prodhimi i energjisë nga Hec-et e vogla dhe energjia e rinovueshme.
Por ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku i bllokoi këto projekte me një vendim të paprecedentë duke krijuar pengesa burokratike edhe për prodhuesit e energjisë së rinovueshme.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi i energjisë nga hecet private zë një peshë të rëndësishme në plotësimin e nevojave në vend. Prodhimi i energjisë elektrike në muajt e parë u realizua nga hidrocentralet publike në masën 53,6 % dhe nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,1 % parë. Situata paraqitet edhe më e vështirë në një kohë që konsumi i energjisë elektrike rritet nga viti në vit. Sipas INSTAT përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2019, u rrit me 2,8 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët familjarë.