Bizneset: Rritja e pagës minimale në 34 mijë lekë nuk ndihmon as punëmarrësin dhe as punëdhënësin

0
62
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama, zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Financave Delinda Ibrahimaj, prezantuan paketën e re të Rezistencës Sociale dhe masat që do të merren për të përballuar krizën energjetike.

Një nga vendimet kryesore të paketës është edhe rritja e pagës minimale nga 32 në 34 mijë lekë për të gjithë punonjësit në Republikën e Shqipërisë. Një masë që do ndikojë më shumë bizneset e vogla në vend duke marrë parasysh edhe situatën ku ata ndodhen.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve rritja me 2 mijë lekë në pagën minimale është e pamjaftueshme dhe nuk ndikon shumë në sipërmarrjet e mëdha por ndikon më shumë në rritjen e të ardhurave nga sigurimet të buxhetit të shtetit. (pas rritjes së pagës minimale pritet të rritet dhe ajo maksimale, duke shtuar pagesat e sigurimeve për ata që marrin paga të larta).

Alban Zusi, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve tha se rritja e pagës minimale është një masë e panevojshme sepse vetë tregu po i detyron bizneset të rrisin pagën minimale.

“Rritja e detyrueshme e pagës nga vetë qeveria do ti shërbejë më shumë buxhetit të shtetit se sa vetë qytetarëve dhe njëkohësisht nuk ndihmon as biznesin sepse rrit kostot për ta.

Paratë e paguara më tepër do të kufizojnë aftësinë e tregut për të rritur pagën në të ardhme” u shpreh Zusi.

Kryetari i shoqatës së bareve dhe restoranteve Enri Jahaj, u shpreh se paga minimale me 2 mijë lekë më shumë, është qesharake, aspak e mjaftueshme për qytetarët për të plotësuar nevojat e tyre.

“Biznesi nuk preket shumë nga kjo rritje sepse ende është e pamjaftueshme, duke marrë shembull sektorin e shërbimeve që unë përfaqësoj, një pagë prej 34 mijë lekësh nuk i del një punonjësi për të plotësuar nevojat e tij jo më për të marrë një trajtim një kurs për të marrë më shumë eksperiencë, sepse me më shumë eksperiencë edukim edhe rrogat vijojnë të rriten.

Në qoftë se duam që sektori i turizmit të jetë primar duhet të rrisim më shumë pagat dhe mbështetja për bizneset të jetë më e madhe.

Kjo rritje realisht prek më shumë biznesin e vogël duke qenë se kanë numrin më të madh të të punësuarve me pagën minimale”.

Në të njëjtin mendim është edhe, Florian Zekaj Kryetar i Shoqatës së Fasoneve, Sipas tij ngritja e pagës minimale me 2 mijë lekë nuk do të ndikojë shumë sipërmarrjet sepse numri i punonjëse me pagë minimale në kompanitë e mëdha është i ulët.

“Kjo masë prek më shumë punonjësit pa eksperiencë nuk ka shumë efekt te ndërmarrjet e mëdha pasi numri i punonjësve me pagë minimale është shumë i ulët pothuajse jo ekzistont te ne.
Efekti i vetëm që kjo masë ka te ne është se na prinë të shkojmë drejtë punonjësve më me eksperiencë që normalisht kanë një pagë mbi 40 mijë lekësh”.

Përfaqësuesit e biznesit gjithashtu shprehen se duhen marrë në fillim masa për të përmirësuar klimën e biznesit në mënyrë që të ketë rritje ekonomike.

“Duhet të ndërhyhet në elemente më të mëdha në ekonomi si bizneset e prodhimit në mënyrë që të zëvendësojnë importin dhe të rris eksportet për prodhuesit vendas sepse një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve është edhe shtrenjtimit i produkteve që vendi ynë merr nga importi me vendet e tjera u shpreh Zusi.

Për Florian Zekajn paketa e miratuar në projektbuxhetin e vitit 2022 është më se e mjaftueshme por duhet vetëm të fillojë të zbatohet, sipas tij ndihma prej 10 milionë euro në vit, për sektorin e manifakturës do ndihmojë në përmirësimin e situatës të krijuar nga rritja e çmimeve.

Rritja e pagës minimale me vetëm 2 mijë lekë është qartazi e pamjaftueshme për një punonjës duke qenë se çmimet në vend vetëm vazhdojnë të ngrihen duke u rritur kështu edhe inflacioni./Monitor

Zjarr Tv Ad