Zbardhen detaje të reja nga vrasja e biznesmenit Vasil Biba, i cili u gjet i vrarë dhe i groposur në Malin e Dajtit rreth 4 muaj më parë.
Ndërtuesi, sipas Policisë, është rrëmbyer në afërsi të rrugës “5 Maji” në Tiranë nga të paktën 3 persona, në fund të dhjetorit 2015.
Ai është futur me forcë në një makinë tip “Range Rover” nga shtetasi Bledar Mneri, i shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor i vrasjes, bashkë me dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë nga policia. Me këtë mjet ai është transportuar në drejtim të Priskës, në Dajt, ku edhe është vrarë dhe më pas është groposur në zonën e Zabelit.
Burime nga grupi hetimor thanë se në këtë mënyrë është bërë rindërtimi i ngjarjes, për të cilën pritet të ketë edhe arrestime të tjera. I vetmi moment që ka mbetur ende i pasqaruar është vendi i vrasjes. Edhe pse burimet thanë se ka dyshime të forta se 36-vjeçari Vasil Biba mund të jetë ekzekutuar me dy plumba në makinë, në momentin që është dërguar në Malin e Dajtit dhe më pas atje e kanë varrosur.
Makina tip “Range Rover” e përdorur për këtë krim, tashmë është e sekuestruar nga Policia e Tiranës dhe ekspertët kriminalistë kanë nisur ekzaminimin për gjetjen e provave shkencore. Mësohet se dy personat e tjerë, të identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia, dyshohet se kanë bashkëpunuar me 32-vjeçarin Bledar Mneri për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit nga Pogradeci.
Nga hetimet dyshohet se motivi i ekzekutimit të Vasil Bibës ka qenë mashtrimi në fushën e ndërtimeve dhe shuma të mëdha parash që ai nuk ia kishte kthyer Mnerit.
AUTORI NE KERKIM
Që prej datës 11 maj të këtij viti, kur Policia e Tiranës bëri të mundur identifikimin e autorit të vrasjes së biznesmenit Vasil Biba, i dyshuari Bledar Mneri vijon t’i shmanget Drejtësisë dhe është person i shpallur në kërkim.
Mneri u shpall në kërkim menjëherë pasi Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, pas kërkesës së Prokurorisë. Burime nga grupi hetimor thanë se Bledar Mneri rezulton të jetë larguar nga Shqipëria që prej datës 16 shkurt të këtij viti, menjëherë sapo në media u dha lajmi për identifikimin e kufomës së gjetur në Malin e Dajtit, më 14 shkurt.
Fillimisht mësohet se ai ka udhëtuar drejt Holandës e nga aty më pas ka shkuar në Gjermani. Policia ka gjurmuar të gjitha lëvizjet e tij, ndërsa, sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, momentalisht ka dyshime se ai fshihet në banesën e disa shqiptarëve në Holandë.
Nisur nga këto të dhëna, autoritetet shqiptare kanë nisur një letërporosi drejt Holandës, me qëllim arrestimin e këtij personi për llogari të Drejtësisë shqiptare. Më herët një letërporosi u ishte dërguar edhe autoriteteve gjermane. Ndërsa mësohet se ka nisur një bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe oficerëve të Europol, për të bërë të mundur arrestimin e 32-vjeçarit Bledar Mneri.
Panorama/d.i.
Burimi : / Javanews.al