Nga Bledian KOKA
Shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë e mbajti frymën e parë pas kthimit nga SHBA në selinë e Partisë Demokratike nga ku dolën në pah disa mesazhe të reja dhe interesante.
E para që më bëri përshtypje kishte të bënte me saktësimin se “SHBA e respektojnë sovranitetin e Shqipërisë dhe janë këtu për të mbështetur Shqiperine në rrugëtimin e saj euro-atlantik”. Kjo tregon se kritikat gjithnjë e në rritje të opinionit publik shqiptar në raport me disa qëndrime të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, të cilat më shumë se njëherë janë parë si favorizuese për Qeverinë dhe penalizuese për Opozitën, kanë ngritur shqetësim në Departamentin e Shtetit. Kjo mesa duket nga sot ndryshon. E gjitha konfirmohet edhe me faktin se vetëm pak orë pas kthimit nga SHBA, ambasadorja shkoi menjëherë në selinë e PD-së ku herën e fundit që shkoi u kujtoi demokratëve “barin” që hahej në komunizëm. Për këtë zonja Kim e tërhoqi “barin” dhe solli në vëmendje faktin se SHBA ka pasur një marrëdhënie “speciale” me PD-në që në fillimet e saj e deri më sot.
Kujtojmë që në 22 vite të këtyre raporteve ‘speciale’, kryetar i PD-së ka qenë “non-grata” Sali Berisha.
Znj. Kim thotë se SHBA-të do të jenë aty për të festuar kur PD të vijë në pushtet ashtu siç bënë në vitin 1991. Kjo tregon se tashme erërat kanë ndryshuar dhe PD duhet të bëhet gati të vijë në pushtet. Por si? Ambasadorja kërkoi sot në derën e PD-së një parti të fortë, të bashkuar dhe aktive në kauzat opozitare, e cila nuk duhet të jetë me një këmbë nga e shkuara.
Që Partia Demokratike të dalë më e fortë dhe më e bashkuar, ajo duhet të pajtohet me anëtarësinë e saj së pari, e më pas me qytetarët shqiptarë, të cilët i ka braktisur në 8 vjet. Lulzim Basha nuk e bën dot këtë, sepse e pengojnë pazaret dhe humbjet e akaparuara ndër vite. Këtë mund ta bëjë vetëm një proces i vërtetë reformimi dhe “Foltorja” është përpjekja më serioze për të çliruar partinë nga mediokriteti dhe kapja. Për këtë pajtohen pjesa më e arsyeshme e PD-së ose me saktë 70% e saj bashkë me 30%-shin që vështirë se ka ndonjë dyshim në këtë pike. Lufta e premtuar kundër krimit dhe korrupsionit është mirëpritur nga kushdo. Qoftë dhe nga ata që për 8 vjet kanë mbyllur sytë para tij apo kanë dërguar deri në zyrën ovale ministra rilindas nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge.
E vërteta është që PD nuk mund të ecë përpara duke e pasur një këmbë mbrapa, dhe këtu pajtohen të gjithë. Njeriu-këmbëmbrapa i Partisë Demokratike sot padyshim është Lulzim Basha, i cili vetëm para disa muajsh regjistroi humbjen e katërt radhazi dhe në momentin që Selia Blu do të çlirohet nga kjo gjyle me zinxhir, e ardhmja e opozitës do të jetë më premtuese.
P.S. Vetëm kështu ne shqiptarët dhe të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike e jo vetëm do të mund dhe do të ecim përpara.