Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka komentuar konfiskimin e 1200 mijë metra katrorë pa leje që u ndërtua nga Pëllumb Salillari në Farkë. Me anë të një postimi në Facebook, Ylli Manjani ka kujtuar dënimin me 3 vite burg të Bojken Lakos, artistit që hapi një dritare, ndërsa pallatin, shteti nuk e kishte vënë re.
“Një minut, një minut se kërcet shumë llogjika. Për një rihapje dritare në një magazinë pa lidhje, Bojken Lakon, Erion Veliaj e çoi në gjyq penal dhe e dënuan 3 vjet. Pa lidhje fare sepse një leje e kishte marrë gjithsesi. Po të panë me matrapik apo edhe një trapan duke hapur një vrimë në mur në shtëpinë tënde, të vijnë në derë 30 policë bashkie dhe të gjithë inspektoriatet e shtetit.
Tani ky Erion Veliaj nuk paska parë mijëra m² ndërtime PA LEJE në Tiranë?! Si kështu, nuk ka asnjë faj ky?! Si ka mundësi?! Bashkia informohet për çdo vrimë muri brenda shtëpive dhe nuk sheh metrat katrorë që ndërtohen hapur fare?! Po qeveria, tani i pa?! Me kë tallen këta plehra të pariciklueshme?! Ptu, palaço!,“shkruan ai, duke theksuar kontradiktat.
Ndërtesa në Farkë i përket kompanisë “Salillari sh.p.k”, një prej bashkëpunëtorëve më të afër të kryeministrit Edi Rama. Madje ky i fundit nuk ka hezituar që në inspektime rrugës t’i puthë edhe tullën biznesmenit Pëllumb Salillari. Ky i fundit, nuk është një emër i panjohur për mediat dhe publikun në Shqipëri. Ai është drejtuesi i kompanisë “Salillari shpk.”, e cila është vënë nën kritika të ashpra nga opozita si biznesmen i njohur për lidhje të ngushta me qeverinë e Edi Ramës.