Një eksploziv i vendosur në kutinë postare në banesën e george soros në nju jork, është shpërthyer nga forcat xhenerike. Pakoja e dyshimtë është vënë re nga një punëtor i rezidencës. Ndërkohë fbi ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Soros është vendosur shpesh nën kritika nga grupet e së djathtës ekstreme, për shkak të mbështetjes së tij të kauzave liberale. Ai nuk ndodhej në shtëpinë e tij, në qytetin Bedford të Westchester County, në kohën e incidentit.
“Një punonjës në rezidencë hapi pakon dhe pa atë që dukej si një mjet shpërthyes”, tha policia në një deklaratë për shtyp. Skuadra e posaçme e xhenierëve e kishte shkatërruar atë më pas. 88-vjeçari, biznesmen hungarezo-amerikan, e fitoi pasurinë e tij përmes operacioneve financiare, që jo rrallë janë parë me dyshim.
Ai ka shpenzuar miliarda parà të tijat në financimin e projekteve për të drejtat e njeriut dhe proceset demokratike liberale në botë, e ka qenë edhe një donator i madh i Partisë Demokratike në SHBA. Ai ka mbështetur fushatat presidenciale të Barack Obamës dhe Hillary Clintonit dhe është etiketuar nga presidenti aktual, Donald Trump, si “një mashtrues”.
Ndërkohë, shumëkush e ka akuzuar Sorosin për projektimin e fshehtë të një serie ngjarjesh në SHBA dhe politikën globale. Soros është shndërruar në një shënjestër politike edhe në botë, nga ana e nacionalistëve dhe populistëve, që e konsiderojnë atë “mjeshtër të manipulimit të demokracive”.