Konfindustria vlerëson, se Buxheti dhe Paketa Fiskale 2023, të paraqitura nga ekzekutivi, tregojnë mungesë të qartë të strategjisë të përballimit të krizës energjitike të shpallur zyrtarisht.
Është e pakuptueshme, që nuk ka asnjë parashikim buxhetor prej pak milionë $USD për vënien në punë të TEC-it të Vlorës pas 11 vitesh, ndërkohë që parashikohen me qindra milionë euro shpenzim për të njëjtin sasi të prodhimit të energjisë nga anijet e sjella nga Bangladeshi me ndikim shkatërrues mjedisor.
Referuar njoftimit, thuhet se është e papranueshme, që në Paketën Fiskale 2023 nuk është parashikuar asnjë ulje e ngarkesës fiskale për produkte si karburantet dhe gazi i lëngshëm me qëllim zbutjen e pasojave të krizës energjitike. Konfindustria ka kërkuar në pezullimin e “taksës së qarkullimit” dhe “taksës së mjedisit” me qëllim uljen e cmimeve të paktën në nivelin e shteteve të rajonit. Gjithashtu, kërkohet heqja e plotë e taksave për “gazin e lëngshëm”.
Konfindustria mbështet politikën financiare të sapofilluar për familjet dhe bizneset për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Shuma e shpallur prej vetëm 2 milionë euro është mjaft e ulët dhe duhet parashikuar e shumëfishuar në Buxhetin 2023.
Konfederata e Industrive të Shqipërisë vlerëson, se është e papranueshme mosparashikimi në Paketën Fiskale dhe Buxhetin 2023 të uljes së barrës fiskale si dhe financimit të veshjeve termoizoluese për ndërtesat publike dhe private, njësitë industriale, pajisjeve termike për rritjen e eficiencës energjitike, etj.