Buxheti i parashikuar për Arsimin, hasi në oponencën e kreut të Komisionit, Agron Gjekmarkaj, i cili si një person që vjen nga fusha akademike shprehu shqetësimin për pagat e ulëta të pedagogëve dhe tarifat e larta të studentëve.
Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria ka tarifa tepër të larta për studentët në krahasim me mundësitë ekonomike të vendit, si dhe paga shumë të ulëta për pedagogët, të cilët detyrohen të bëjnë nga 2-3 punë për të blerë libra apo për të udhëtuar për seminare akademike.
Në përgjigjen e saj ministrja u shpreh se tarifat e studentëve janë përgjysmuar, ndërkohë që u shpreh se paga e pedagogëve është në dorën e vetë universiteteve me ligjin e ri që i jep autonomi Arsimit të Lartë.
Pjesë nga debati
Agron Gjekmarkaj: Meqenëse vijmë nga një ambient i përbashkët që është mjedisi universitar, dikur duhet të kemi patur një shqetësim të përbashkët, mbi rrogat e pedagogëve. Kam pritur që ju vetë do të investoheshit më shumë në këtë, rrogat e pedagogëve janë të vogla, referencë së paku duhet të ishte Kosova. Ju e dini shumë mirë që me aq pak nuk blen dot libra. Për të bërë konferenca ndërkombëtare dhe për të udhëtuar për një pedagogë është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur. Do të duhet të bëjnë nga dy tre punë dhe kur bën nga dy tre punë bie cilësia e mësimdhënies. Jam detyruar vetë të bëj dy tre punë, përpara se të vija këtu. Ky është një problem që pedagogët presin shumë më tepër.
Një tjetër çështje që më shqetëson është çështja e bibliotekës digjitale e deklaruar nga paraardhësja juaj, zonja Shahini, nuk e di cilat janë produktet e saj. Kampuset e premtuara gjatë kohës kur ishte revolta studentore, desha të di sa prej tyre janë ndërtuar dhe sa prej tyre janë në kantier në ndërtim e sipër. Dhe e fundit është çështja e tarifave studentore që nuk përputhen me mundësinë ekonomike të vendit, qoftë edhe në vende fqinje si Italia janë më të ulëta se tarifat e Tiranës, që unë e di shumë mirë që janë tepër të larta.
Ministrja Evis Kushi: Atëherë për pagat e pedagogëve dhe unë e ndaj shqetësimin me ju, por me ligjin e ri të Arsimit të Lartë përmes autonomisë institucionale u jep të drejtën universiteteve që të rrisin pagat dhe shpërblimin për pedagogët nëpërmjet senateve akademike.
Shumë shpejt unë kam një takim me të gjithë rektorët e universiteteve dhe kjo do të jetë një nga çështjet e radhës që ne do ta diskutojmë bashkarisht.
Për sa i takon bibliotekës digjitale, në mars të vitit 2019 është realizuar marrëveshja me EPSPO-n dhe RUSH, Rrjeti Akademik Shqiptar. Kjo ka mundësuar aksesin për të gjithë studentët dhe pedagogët e universiteteve publike në vend. Unë i kam këtu sipas viteve sa llogari aktive janë në vitet 2019, 2020 dhe 2021.
Për sa i takon kampuseve, unë e përmenda në fjalën time, projektet që janë aktualisht në Tiranë, por tani e kemi parë që dhe në Shkodër, Korçë, Elbasan dhe Vlorë rezidencat universitare janë të gjitha të rikonstruktuara. Në fillim të këtij viti kam patur kontakt me të gjitha universitetet dhe të gjitha rezidencat janë të aktive dhe pjesa më e madhe e tyre janë me standartet më të mira europiane.
Edhe për tarifat e e dimë shumë mirë që janë përgjysmuar. Në krahasim me rajonin ne kemi tarifat më të ulëta, përveç Kosovës, e cila tashmë ka kaluar në zero tarifa për Arsimin e Lartë, ne kemi bërë hapa shumë të mirë duke i përgjysmuar tarifat, por studentët ekselentë dhe studentët me vështirësi ekonomike jo vetëm që janë të përjashtuar nga tarifat, por marrin edhe bursë.
Shqetësimi i ngritur nga Luçiano Boçi për zhdukjen e degëve të mësuesisë
Gjithashtu gjatë diskutimeve u ngrit nga deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, dhe një shqetësim tjetër që lidhet me mungesën e studentëve që zgjedhin degët e mësuesisë, çka do të sjellë një mungesë të arsimtarëve në të ardhmen.
Boçi vuri theksin tek mungesa e financimit për degën e mësuesisë në Universitetin e Elbasanit. Ai theksoi se arsimimi ka humbur në Elbasan, Shkodër dhe në Gjirokastër, për shkak të mungesës së paketave financiare. Boçi i shtroi pyetjen ministres se Arsimit, se cilat janë paketat financiare për të shpëtuar arsimin e lartë.
“Duhen 8 vite të prodhosh një mësues. Një investim i jashtëzakonshëm. Për 10 vite del një mjek. Sot nuk kemi më prodhim mësuesish. Pas 10 viteve kjo shoqëri do të ketë krizë mësimdhënie dhe nuk do të ketë më mësues. Merrni ekselentët, paguani për të mbrojtoryu degët për mësuesit e rinj. Merrni ekselentët. Shihni pagat për pedagogët sepse janë mjerane. I keni harruar studentët dhe mbështjen financiare për ta.