Protesta e banorëve të 5 Majit, Veliaj: Ata që kanë qenë pronarë do marrin më shumë sesa kishin, spekulantët do i denoncojmë publikisht

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në lidhje me protestën e dhjetra banorëve të zonës së  “5 Majit”, që sipas tij do të kompensohen sipas ligjit. Veliaj thotë se banorët që kanë dokumente të rregullta pronësie do të marrin më shumë sesa kishin më parë. “Ligji thotë se banorët që kanë shtëpitë te “5 Maji” nuk duhet të dëmtohen. Pra, nuk mund të zgjidhim një hall, duke krijuar një tjetër. Kjo është arsyeja pse edhe banorët që banojnë në Kombinat dhe te “5 Maji”, ku do bëhen lagjet e reja, do trajtohen njësoj. Kush është pronar me letra, do të trajtohet me formulën e pronarit, pra do marrë shumë më shumë seç kishte.

Ndërkohë, dikush që është në proces legalizimi, pra e ka zaptuar atë tokë, që ka qenë në fakt tokë shtet, sepse gjithë Bregu i Lumit ka qenë tokë e Bashkisë, ndërmarrje e Bashkisë, do t’i marrin metrat katrorë siç i kanë pasur. Kontrata thotë: Sa metra ke? Ke 200 metra? Merr 200 metra banesë”, shpjegoi Veliaj. Kryebashkiaku tha se kush nuk provon që është pronar i banesës ku banon, por është thjesht qiraxhi në atë banesë, nuk përfiton.

“Shtëpitë i përfitojnë vetëm ata që kanë lidhje me atë pronë. Kemi verifikuar se njerëzit që ulërasin më shumë në televizor janë o qiraxhinj, o rrinë tek kunata apo te baxhanaku. Por, ndërtesa bëhet për pronarin e shtëpisë; është si të thuash, ra tërmet në një hotel dhe meqë isha aty, në atë dhomë, të marr edhe unë një dhomë nga hoteli i ri kur të ndërtohet. U përplas makina që kisha marrë me qira dhe kur të bëhet pagesa nga siguracioni të marr dhe unë një makinë. Jo! Makinë të re, hotel të ri, pallat të ri, apartament të ri merr pronari, jo ti që ishe bujtës aty sepse prona nuk është e kunatit, as e baxhanakut, por është e kryefamiljarit ose e personit që e ka të regjistruar si pronë”, tha Veliaj.

“Kush është spekulant do trajtohet si spekulant dhe do të nxirret publikisht si mashtrues, që shkon të përfitojë në një vend që nuk është i tiji, por i dikujt tjetër, vetëm për faktin se ka ndenjur aty disa kohë, qoftë me qira, ose qoftë në dakordësi me pronarin real. Njerëzit duhet të kuptojnë se këto nuk janë sevapet personale të Kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë.

Këto janë programe sociale, që shkojnë për të ndihmuar dy faktorë: Ata që humbën shtëpinë nga tërmeti dhe ata që, në fakt, për 1000 arsye, u gjendën në atë tokë të Bashkisë dhe të qeverisë, fillimisht duke e marrë pa leje, pastaj duke ndërtuar pa leje, por eventualisht duke e legalizuar dhe hipotekuar”, përfundoi ai.

Zjarr Tv Ad