Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi ka qenë i ftuar në studion e emisionit “Pushteti”, në Fax News ku ka folur mbi protestën e 7 korrikut dhe aksionet e ardhshme opozitare kundër qeverisë. Bylykbashi u shpreh se protesta e 7 korrikut la gjurmë në kalendarin politik të Shqipërisë pasi kishte mesazhe të qarta. Më tej, i pyetur mbi postin e nënkryetarit, Bylykbashi u shpreh se i jepte më shumë siguri dhe legjitimitet, duke shtuar se situata ishte ndryshe nga koha kur emërimet bëheshin nga Basha.
“Ishte një protestë që la gjurmë në kalendarin politik të këtij viti sepse bëri të qartë se PD është opozita e vërtetë që do çojë shqiptarët në një zgjidhje tjetër. Ishte një protestë me mesazhe të qarta. Që nga kuvendi i 11 dhjetorit kemi patur referendumin, që ishte jo vetëm një risi sa i përket procesit të tillë demokratike, më pas patëm edhe primaret për të nxjerrë kandidatët e zgjedhjeve.”
Demokracia brenda PD-së po zhdukej dhe po çonte në asfiksimin e partisë. Një forcë që gjen vitalitetin e saj brenda me zgjedhje, ka dhënë një mesazh të plotë. Në protestën e 7 korrikut nuk ishin vetëm anëtarë të PD-së por qytetarë nga të gjithë rrethet që besonin tek një lidership i tillë. Berisha ka një mandat të qartë tani sa i përket kësaj beteje. Nënkryetar i zgjedhur me votë, ju jep kjo më shumë siguri?
”Absolutisht më jep më shumë siguri. Nëse ne nuk kërkojmë demokracinë brenda PD-së, është e kotë ta kërkojmë atë jashtë partisë. Jo vetëm kaq por na jep një legjitimitet shumë herë më të madh sesa të jemi të emëruar siç bënte Basha ku ishte një proces farsë. Praktikisht ishin kabineti i kryetarit. Në fund fare politika kërkon lidhje të drejtëpërdrejtë me votuesit. Në vijim nga kjo lloj mbështetje i detyrohemi anëtarësisë. Kemi një model që Rama dhe PS nuk e ka. Sepse ata nuk kanë votime”-tha Bylykbashi.