Ceno Klosi kallëzohet në Prokurori! Ish-drejtoresha Hasanaj: Kreu i Tatimeve i bënte presion administrates

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi është kallëzuar në prokurori nga ish drejtoresha e mbledhjes se Detyrimeve Tatimore të Papaguara Shilda (Kamberi) Hasanaj, e cila ka qenë në këtë detyrë deri në Tetor të vitit qe shkoi.

“News 24” zbardh detaje të reja dhe skandaloze për mënyrën sesi funksionon drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me në krye Ceno Klosin. Në kallëzimin që Shilda Hasanaj ka paraqitur në prokurori, shpjegon mënyrën sesi është vënë nën presion nga “shpura” e Klosit, me qëllim që t’iu bindej urdhrave të tij, por edhe të sulmonte punonjësit për t’i larguar nga puna, edhe pse ishin profesionistë.

Në kallëzim ajo denoncon se në momentin kur nuk ka pranuar të zbatojë urdhrat verbale e të paligjshëm të drejtorëve të Ceno Klosit, ky i fundit e ka thirrur në zyrë dhe i ka bërë presion.

Sipas kallëzueses, Ceno Klosi i është drejtuar në zyrën e tij me fjalët: “Kush të ka sjellë ty këtu, që më tregon mua ligjin? Dil përjashta se e di mirë se kush je. Dhe nuk dua të dëgjoj më se kjo është në kundërshtim me ligjin”. Ish-drejtoresha e shkarkuar shpjegon me tej se Klosi dhe drejtorët pranë tij i bëjnë presion psikologjik administratës në varësi, për të kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

Në kallëzimin e saj Shilda Hasanaj shkruan se ka punuar në administratën e Tatimeve nga viti 1999 deri në 2022, kur edhe u largua përmes një urdhri të paligjshëm sipas saj. Ajo denoncon se Klosi “drejton një komision pa integritet, të varur prej tij dhe nuk është fare prezent në seancat e komisionit”. Sipas Hasanajt që ka punuar në Tatime 23 vite, që me ardhjen e drejtorit të përgjithshëm dhe atyre që i konsideron “suitën” e tij, ka pasur gjithmonë probleme. Klosi dhe njerëzit e tij kanë tentuar në mënyrë të vazhdueshme të ushtrojnë ndikim të paligjshëm në ushtrimin e detyrës së saj.

Ka qenë deputetja demokrate, Sorina Koti e cila bëri publike letrën dy ditë më parë dhe gjatë një interviste për “News 24” tha se rasti i Ceno Klosit është flagrant. “Kjo ishte një letër e hapur drejtuar deputetëve të Kuvendit. Zonja ka denoncuar me emra drejtorin e tatimeve dhe emrat e tjerë të përmendur në letër. Më vjen mirë që njerëzit po reagojnë ndaj shkeljeve dhe humbjes së punës që vjen si pasojë e moszbatimit të urdhrave të paligjshëm.

Është një rast flagrant i drejtorit të Tatimeve që nuk mund të konsiderohet kurrë një situatë e tillë në një institucion publik që duhet të përgjigjet për të ardhurat e shtetit dhe ndërkohë merret me pushimin e punonjësve”, u shpreh deputetja Koti.

Sipas saj “ka raste kur denoncohet në mënyrë private te dhunën që ushtrohet nga militantët socialiste kundrejt punonjësve të administratës. Presioni rritet kur kemi zgjedhje të pushtetit vendor dhe atij qendror. Për fat të keq pjesa që nuk e denoncon dhunën është shumë më e madhe se kanë frikë që do të humbasin vendin e punës.

Ne jemi koshientë që gjatë këtyre 10 viteve të qeverisjes ‘Rama’, kemi pasur pafundësisht gjobëvënie, dhunë dhe presion ndaj qytetarëve. Është situatë alarmante. Kemi denoncuar rastin e Patronazhistit, tani kemi edhe aplikacionin e Aktivistit. Qeveria u bën presion punonjësve të administratës për pëlqejnë dhe shpërndajnë njoftimet e titullarëve. Edhe kur nuk pranojnë ta shkarkojnë aplikacionin, ua marrin telefonat me dhunë dhe ua shkarkojnë”.

Zjarr Tv Ad