Çfarë përfaqëson sot PD-PS dhe pse e mbyllën misionin

0
10
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

BEN ANDONI

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë dy partitë që e kanë dominuar jetën politike në vend, me një avantazh tashmë të së majtës, krijuar prej mandatit të tretë të PS-së.

Sistemi i tyre organizativ është tejet monoton, sepse dominon me atributet e tij kryetari, kurse shtrirja në bazë lokaliteti, komunitetesh dhe atributesh individuale, vazhdon njëtrajtësisht. Studiues të politologjisë vërejnë se ky organizim është tejet uniform dhe trashëgohet nga modeli i PPSHsë (Krasniqi, 2017). Por, ndërsa në vitet pas ‘90 ka pasur një përpjekje për ndryshime midis pozitës së kryetarit dhe forumeve deri te Grupi Parlamentar, një gjë është e dukshme, dy partitë kryesore, PS-ja dhe PD-ja e Rithemelimit (ende pa tagër ligjor, por që ka shumicën e Grupit Parlamentar) çdo gjë është e lidhur me figurat kryesore, respektivisht Rama dhe Berisha.

Në kushtet e reja bën një dallim Partia Demokratike (Legale) autoriteti i së cilës është nën drejtimin e Lulzim Bashës po me një bjerrje të anëtarësisë së saj, ku gjithsesi, duket drejtimi i tij ngado. Prej vitit 2008, kur ndodhën ndryshimet kushtetuese në vend, prej një marrëveshje BerishaRama (atëbotë në opozitë), asgjë nuk flet dot më për partitë e vogla. Ato kanë humbur paçka vrullit tejet optimist dhe figurave premtuese.

Ndërsa në skakierën politike, mbi të gjitha, kanë humbur shenjat ideologjike, nëse ato kishin qenë më parë ose kishin deridiku ndonjë lloj trage në dy partitë. Për shkak të pragut të lartë, asnjë nga forcat politike, që mbin, nuk ia del dot të futet në parlament, përveç LSI-së (tashmë transformuar në PL), që kryesisht prej orientimit të saj dhe e dyta prej pragmatizmit të dikurshëm të Ilir Metës ka arritur të mbajë balanca, herë të PDsë dhe PS-së. Me këtë të fundit, nisi dhe shkërmoqja e saj, që në një farë mënyre ishte kthim i monedhës për flirtin, që bëri ish-kryetari i saj i dikurshëm Meta me “të djathtët” e Berishës.

Po a ekzistojnë vërtetë të djathtët në vend?! Koha dhe artikulimet e ndryshme programore dhe më shumë individuale, si edhe qasja në praktikë dhe në ideologji e PD-së na ka treguar se e djathta, ende nuk ka ardhur vërtet në pushtet. Mungesa e një tradite historike të së djathtës, përçarja e partive me këtë orientim të paraluftës dhe kaosi i tyre ideologjik, mungesa e një grupimi politik pronarësh, që të ndikonin, por më shumë se kaq represioni komunist nuk i la të ngrinin kokë. PD-ja e pas viteve ‘90 ishte një front dhe jo parti, kundër ish-regjimit komunist, që abuzoi paq me pronarët (shtatori 1993 do mbahet mend, kur ua prishi grevën e urisë), pasi Ligji 7501 e dërrmoi pritjen e tyre dhe çlirimin e pritshëm, kurse një vit më pas “mësimin” e morën dhe të përndjekurit! Shqipëria do të vuante shumë dhe bjerrjen e vlerave kombëtare, atribute themelore të së djathtës, kurse Lufta e Kosovës zbuloi gjëra, që do të ishin të trishta: kontrabanda nga Shqipëria dhe pengesa që iu bë jo pak njerëzve të rezistencës kosovare, që tashmë e kishin intensifikuar përpjekjen e tyre për kauzën e mëvetësisë.

Duke pasur parasysh konfigurimin, sidomos në struktura, u pa se qasja e PD-së së viteve ‘90 ishte shumë më tepër si vazhduese e PPSh-së, ndryshe paradoksalisht nga kundërshtarët socialistë, që nuk patën turp ta pohonin trashëgiminë e tyre, por tashmë jo pak të reformuar për t’iu ngjitur pushtetit. Po ashtu, Partia Socialiste ka vite që e ka humbur mundësinë për t’i treguar publikut sesa afër së majtës gjenden me idetë. Përgjigjet e munguara sesi do të jenë në të ardhmen politika e PPP-ve, si do të përballet me skandale të tilla si ai i inceneratorëve, pse kanë nisur të bjerren gjithnjë e më shumë vlerat e antifashizmit, si do të jetë qëndrimi ndaj kapitalit dhe futjen e shtetit te privati… rëndojnë shumë. Kurse shprehje si ajo e kryeministrit: Ejani në Shqipëri se nuk ka Sindikata!-të trand.

PS-ja e sotme është jo rrallë në pozicionin e djathtë, një fenomen, që nuk është vetëm rasti i Shqipërisë sot, ku kalimi nga një fokus ekonomik i së majtës drejt fashave të tjera i ka bërë ngado parti simotra të krahut të majtë të lidhura ngushtë më shumë me ardhjet e financimit, që në programet e të majtëve de facto konsiderohen si të papërshtatshëm. Në aspektin ideologjik, problemi më i madh është trashëgimia dhe se ku do shkojë PS-ja sepse paradigmën e post demokracisë e ka rrokur dhe po “e krijon” për të Majtën e vërtetë shqiptare, ai dhe vetëm ai, kryetari Edi Rama, që në thelb nuk duket fare i Majtë.

Ai oaz demokracie që ka qenë dikur, ose mëtonte të ishte me individë të veçantë, si Servet Pëllumbi, Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, që artikulonin koncepte, sot është gjithnjë e më i rrudhur dhe mezi flet me gojën e pak individëve me kredibilitet si Xhafa, Braçe dhe tek-tuk me seriozitetin e Koçit, ndërkohë baza e vogël e njerëzve demokratë të së majtës, po e sheh Kultin e Individit, që po i ngrihet përditë e më i lartë përballë syve. Në fund të mandatit të shkuar, të paktën u ngrit shqetësimi i pak specialistëve për Amnistinë Fiskale, bash në vitin e fundit të qeverisjes; rritjen e rrogave, pa një studim të përcaktuar mirë; politikat e paqarta të PPP-ve, të gjitha bashkë duke krijuar një “Të Majtë”, që s’ishte më e tillë. Një kërkues italian, Emiliano Brancaçio, e shkroi edhe më qartë, pak vite më parë: “Pas daljes nga moda të idesë Blair-iane, të obsolencës së socialdemokracisë dhe të domosdoshmërisë së një “rruge të tretë”, duket sikur kohët e fundit po përhapet një tjetër teori e përbashkët: E majta është në krizë sepse pasi hyri në qeveri, filloi të zbatonte politikat e së djathtës. Dhe me goxha zell, mund të shtojmë. E konsiderojmë ne të tillë mënyrën e tregut të punës, një pjesë e majme e reformave që kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë në Europë ka ardhur si pasojë e qeverive me frymëzim socialist”.

“Pas dekadës së parë të tranzicionit, identifikimi ideologjik e humbi rëndësinë e tij dhe prej 2005 partitë preferuan më shumë qasje pragmatiste sesa ideologjike në koalicione, në programe dhe në fushata elektorale. Në partitë parlamentare diferencat programore janë minimale dhe se rendja pas pushtetit, pavarësisht shtresimit dhe traditës ideologjike, i ka bërë partitë gjithnjë e më të ngjashme, sidomos kur ato ushtrojnë pushtet. Kalimet e partive të vogla majtas e djathtas, kryesisht për interesa afatshkurtra, është tipar i dekadës së fundit dhe një tregues tjetër i paqëndrueshmërisë në identitet ideologjik” (Krasniqi, 2017). Ndaj, në këtë kohë do ishte e nevojshme që të dyja palët të na japin një përkufizim më të mirë të asaj se çfarë përfaqësojnë.

Arsyeja është se përmes markës ideologjike, qytetarët mund të projektojnë imazhin e tyre për brandin e PS dhe PD-së, që mund të jetë ose jo një pamje e vërtetë e asaj çka presin nga secila palë. Po të vazhdojë kështu, duket se autoritarizmi dhe nepotizmi, që i kemi përballë do të vazhdojë njësoj, ndërkohë që shqiptarët po ikin, kurse partitë po u rreshtin edhe militantët. Paçka një lloj shprese të vakët, tashmë një gjë duket qartë: PS dhe PD e kanë mbyllur misionin e tyre, kurse tragjedia politike e vendit është se nuk mund të zgjedhin përtej tyre… në mungese të lëvizjeve te reja, që mund të trandin. (Homo Albanicus)

Zjarr Tv Ad