Nga Fationa Bato
Cilit popull do t’i shërbejë një mjek pas disa vitesh?
Me këto hapa galopant që “po zhvillohet shpopullimi” me siguri pas disa vitesh shqipëria do të banohet nga afganë e muxhahedinë… edhe mjekë!
Çfarë keni bërë ju për mjekun, arsimtarin, inxhinierin??? Pse po ikin këta njerëz?
“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sa të mbarosh shkollën, do t’i kthesh popullit tënd atë që ka bërë për ty, pastaj mund të shkosh ku të duash. Do të kërkojmë të na e kthejnë investimin. Duan t’i marrin në Gjermani, t’i marrin, por duhet të na e kthejnë investimin.“- tha shteti.
Gjermania, Kanadaja, Amerika etj nuk po jua merr “trurin” ,por jeni ju me politikat tuaja që po i largoni njerëzit duke i trajtuar pa dinjitet sepse institucionet i keni bërë tuajat.
Shpopullimi është një tjetër sfidë që erdhi si pasojë e keqqeverisjes.
Disa u nxitën për të emigruar, ndërsa shumica e familjeve të reja nuk lindin më tepër se një apo dy fëmijë. Pse? Sepse një familje e re nuk ka të ardhura për të përballuar jetesën, e aq më tepër për të blerë një apartament.
Pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë janë të rinj, dhe ajo që dhemb është se shumë të moshuar jetojnë vetëm.
Kjo ndodh kur shteti braktis popullin e tij!
Shqiptarët po largohen nga Shqipëria njëlloj si Ukrainasit nga vendi i tyre, por me një ndryshim: Neve nuk jemi në luftë me askënd!
Ndoshta kurioziteti do të ishte mungesë kulture por në fakt unë kam kureshtje të di:
Po të merrni ju apo ndonjë nga kabineti juaj këto rrogat tona si do të jetonit?
Ku do të jemi pas disa vitesh?