Çmimi i naftës, më i larti në 4 vitet e fundit

0
171
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nafta ka pësuar rritjen e saj më të lartë në 4 vitet e fundit, duke u shitur me mbi 81 dollarë për fuçi, pasi Arabia Saudite dhe Rusia refuzuan thirrjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur prodhimin.

E hëna, kur edhe u regjistrua çmimi më i lartë prej nëntorit të vitit 2014 prej 81.16 dollarë për fuçi, shënonte gjithashtu edhe një rritje prej 3 për qind brenda ditës.Arabia Saudite është udhëheqëse e kartelit të vendeve prodhuese të naftës “OPEC”, ndërsa Rusia është grupi më i madh prodhues i naftës jashtë këtij karteli. Vendet e “OPEC”-ut u mblodhën në Algjer gjatë së dielës për të diskutuar nivelet globale të furnizimit dhe sanksionet amerikane ndaj Iranit, një takim që gjithsesi përfundoi pa marrëveshje formale apo ndonjë shtysë për rritje të furnizimit.

Shitjet e naftës bruto të Iranit kanë rënë, pasi blerësit u janë frikësuar penalizimeve që rrjedhin si pasojë e sanksioneve që pritet të hyjnë në fuqi në nëntor. Pikërisht kjo frikë ka bërë që çmimi i naftës të rritet, teksa tregtarët më të mëdhenj si “Trafigura” apo “Mercuria” parashikojnë që çmimi do ta tejkalojë nivelin e 100 dollarëve për fuçi në fillim të vitit të ardhshëm.

Vitin e kaluar, “OPEC” dhe kombet e tjera prodhuese të naftës, përfshi Rusinë, ranë dakord për të zgjatur më tej akordin e nënshkruar fillimisht në vitin 2016 për të ulur prodhimin, në mënyrë që të rritej disi çmimi i naftës që kishte rënë nën 50 dollarë për fuçi. Kjo marrëveshje u la në fuqi edhe në takimin e së dielës.

 

Zjarr Tv Ad