Ervin Karamuço, ekspert i çështjeve të sigurisë, është shprehur mbrëmjen e sotme se në Ambasadën e Iranit në Tiranë janë gjetur servera që janë përdorur për sulmet ndaj shërbimeve qeveritare të shtetit shqiptar. Sipas tij, dëbimi i diplomatëve ka qenë vendim i drejtë.
Dëbimi i diplomatëve iranianë, eksperti i sigurisë: Në Ambasadë u gjetën serverat që sulmuan Shqipërinë
“Në ambasadën e Iranit janë gjetur servera për sulmin që është kryer. Servera dhe pajisje që janë përdorur nga diplomat në mbulim, por që kanë qenë nga garda revoulcionare për këto qëllime. Ambasada iraniane ishte vetëm 100 metra në vijë ajrore nga AKSHI.
Kemi shembullin e konsullatës ruse në Bronx që kishte vendosur antena të mëdha dhe kapte të gjitha sinjalet, telefonike etj dhe u vu në alarm i gjithë Nju Jork.
Nuk kam folur se ishte ende i rezervuar si informacion, por kryeministri ka folur, atëherë unë them po, ka ndodhur, kjo është ngjarje shumë e rëndë dhe e kanë merituar largimin. Pas gjetjes së këtyre pajisjeve ndërprerja e marrëdhënieve ka qenë shumë e justifikuar.
Ne jemi në rrezikun e klonimit të të dhënave tona personale te persona të tjerë te vende jo miqësore. Sepse çfarë i duhet një shteti për të regjistruar një individ? Shenjat e gishtave, gjeneralitetet, të dhënat. Nuk ka më sulm, ka vetëm ekspozim dhe përqeshje. Sulmi ka mbaruar. Edhe këto që dalin nuk janë sulm, janë ekspozim, janë demaskim”, u shpreh eksperti në emisionin “Log” me gazetarin Endri Xhafo.