E ashpër ka qenë me deklaratat e saj deputetja e opozitës Fation Dhimitri, e cila pohoi se mes efektivëve që morën pjesë në aksionin për shembjen e Teatrit Kombëtar, ka pasur edhe kriminelë të veshur me uniforma policie.
Nga foltorja e Kuvendit, në interpelancë me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, Dhimitri tregoi edhe disa foto nga dhuna e ushtruar në protestë.
Mes të tjerash ajo tha se edhe në rastin e vrasjes së Laçit, autorët ishin veshur me uniformë policie.
“Shifeni! E ke parë patjetër që e ke parë (Tregon fotot nga protestë). Këto për ju nuk janë akte dhune, por janë thjesht episode kalimtare. Shikojini këto foto, policët janë pa numra, dhe qytetari vetëm mbrohet me duar se po e qëllojnë në kokë. Sa për ato deklaratat patetike për heqjen e kapeleve, në SHBA policët kanë lënë detyrën dhe janë rreshtuar me qytetarët. Po ju bej me dije se dhuna është e ndaluar me ligji, por ju keni thënë se dhuna është monopol i shtetit dhe bëhet gjithmonë nga Policia në dobi të qytetarëve. Kam kërkuar të gjithë numrat e identifikimit dhe emrat e policëve që kanë marrë pjesë në protestën e 17 majin, por nuk më kthyer përgjigje. Nuk e dimë akoma nëse në protestë kanë marrë pjesë policë apo kanë qenë të infiltruar nga struktura kriminale. Edhe në vrasjen në Laç, vrasësit me uniformë policie ishin, kjo nuk na duket ndonjë çudi. Forcat RENEA përdoren për raste pengmarrjesh. Po cilët ishin pengmarrësit në këtë rast? Artistët? Raportorët? Apo qytetarët. Pengmarrësit jeni ju zoti ministër, pasi po merrni peng historinë dhe po e shembni kulturën demokratike të një populli. A jeni ju i informuar për procedurat e shembjes së teatrit nëse po, na vini në dispozicion ne deputetëve, datën, vendimet, dhe procedurat e ndjekura?!”, tha Dhimitri.
Ndërkohë, i menjëhershme ishte dhe reagimi i ministrit Sandër Lleshaj, i cili pohoi se për këto deklarata që bëri Dhimitri, dhe hijet e saj të dyshimit, duhet t’i drejtojë në prokurori.
“Ju nuk kishit pyete, se dhatë përgjigje. Ju mbani versionin tuaj dhe shijojeni. Fjala juaj ishte një procedurë që e bëjmë me policët, para se të nisin shërbimin. Ju falënderoj që e bëtë këtë gjë, dhatë informacione. Ju falënderoj. Folët për dyshimet tuaj se brenda radhëve të policisë ka pasur persona kriminel, që janë veshur me uniformat. Mbajini këto dyshime, dhe duhet ti paraqitni duku tjetër, atje ku quhet Prokurori. nëse dyshoni, trokisni atje dhe do gjeni përgjigjen e duhur. Këta mund të qenkëshin dhe policë. Apo çdo kriminel që ka një ngjyrë të errët, mund të ngatërrohet dhe me ne. Kjo është jashtë fushës time që të merrem me arsyetime të tilla. Doni t’ju vëmë targë dhe qytetarëve. Numri i identitetit nuk është standard në botë. Ai vlen kur është individualisht në shërbim. Nuk është standard i detyrueshëm në koncept ndërkombëtar. RENEA ka qenë aty pasi ka pasur nevojë pasi kishte aludime se do përdorej forcë. Ndaj RENEA, ka bërë verifikim të godinës, për të parandaluar rrezik për qytetarët e përfshirë në këtë fakt.”, -pohoi Lleshaj.