Ish-drejtues i lartë i Policisë, Shemsi Prençi ka folur për “zhdukjen” e Ervis Martinajt. Gjatë një interviste në Fax News, Prençi tha se në fillimet e tij Ervis Martinaj nuk ka qenë person i inkriminuar, por një njeri me shkollë dhe i arsimuar në fushën e ekonomisë. Sipas tij, gjithçka ndryshoi me përfshirjen e tij në fushën e lojërave të fatit dhe kjo e implikoi atë në akte të rënda.
Ai u shpreh së ish-biznesmeni është gjallë, ndërsa theksoi se beson që vetë Martinaj të dalë një ditë dhe t’u thotë në sy politikanëve se ai ka blerë sistemin e drejtësisë pasi këtë mundësi ia ka dhënë sistemi i korruptuar i drejtësisë në Shqipëri.
“I kam thënë gjërat për Ervis Martinaj. E kam shprehur me bindje të plotë se Vis Martinaj, ai pasi mbaroi shkollën nuk ishte person i inkriminuar. Por i shkolluar si gjithë shqiptarët e tjerë, në nivelin e menaxhimit të biznesit.
Fakti që flasin jo vetëm thashethemet, por edhe dokumentet që një biznes i tillë ka paguar tatimet, ka paguar policët, dhe ai ka qenë i suksesshëm për këtë. Pastaj atij i është bërë një luftë e pandershme për ekonominë që kishte vendosur, dhe është zhytur në inkriminim. Kam bindjen se ai është gjallë”, deklaroi Shemsi Prençi.