Ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ironizoi sot faktin që një projektligj i qeverisë për deklasifikimin e informacionit nuk ka pasur ekspertizë nga NATO dhe BE përpara se të kalonte për diskutim.
Duke folur në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ai tha me ironi se deputetët kanë marrë ekspertizë edhe për prodhimin e domates, por nuk kanë një mendim për ligjin e informacionit sekret.
“Unë nuk vë në diskutim aftësitë e Drejtorisë për të hartuar këtë ligj, edhe për shkak se kam pasur mundësi të punoj me ju. Përtej vlerave individuale tuaja dhe përpjekjeve që keni bërë për ta përthurur me direktivat, në kontekstin e zhvillimeve aktuale, a mos është e nevojshme për të pasur një konsulencë më të thelluar ndaj këtij projektligji? Ju keni këtu edhe një kompani amerikane që po u asistojnë si Johns Group. Ne kemi kaluar këtu ligje dhe kemi pasur ekspertizë si prodhohet domatja. Është Akoma më e rëndësishme që të kishim një certifikimn nga NATO apo BE, apo nga një asistencë e kualifikuar. Ligji në tërësinë e vet duket që zgjidh shumë gjëra të mira, por është më shumë rregullatore, sesa në thelbin e problemit”, u shpreh Xhafaj.
“Ne e kemi konsultuar gjerësisht me ekspertët e NATO-s dhe besoj se një konsulencë tjetër do të ishte e tepërt në kushtet ku jemi”, u shpreh drejtori I DSIK-së.