Dëmtimi i memorialit të Mid’hat Frashërit më çoi vite e vite pas

0
155
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dëmtimi i memorialit të Mid’hat Frashërit më çoi vite e vite pas. Atëherë kur edhe po të thoshe se bota luan futboll të bukur, haje burg.

Njësoj u ndjeva sot kur mendimtari i kombit dhunohet jo nga partizani Meke, por nga biri apo i nipi i tij. Që mund të ketë studiuar në Paris a Londër, por në tru ka stafetën e gjyshit. Ka sloganin, ata që nuk mendojnë si ne janë armiqtë tanë.

Dhunimi ndaj Mid’hatit më solli para sysh një dramë timen familjare. Isha në shkollë të mesme,sapo kisha nisur vitin te gjimnazi “Raqi Qirinxhi” në Korçë. E ditët e para patëm aksion në Dvoran,ndihmonim në mbledhjen e mollëve. Në një çast pushimi mora në dorë një starking-e dhe sa e kafshova një herë tregova me shprehi të fytyrës se më shijoi shumë. Plot lëng dhe aromë:

-Epo nuk e quajnë kot starking, pra ylli mbret përkthehet nga anglishtja,- shfryva emocionin e shijimit.

Të nesërmen qysh në mëngjes më thirri drejtori e buçiti:

-Ato s’janë mollë të Anglisë more, por janë të partisë. Por ti paske mendime armiqësore në kokë…

E s’mbaroi me kaq. Për ditë më radhë mbledhje e kritika. Na u fut tmerri në familje. Mendonim se do na internonin andej nga Opari, rrëzë malit të Lenijes. Por na ndihmoi fati, nga fisi i nënës patëm një dëshmor.

Njësoj edhe sot. Po gjykojnë Mid’hatin ata që atdheun e shitën, shqiptarët i dëbuan, shpresën e vranë. Busti i tij u hodh përtokë.

Po do e ringremë. Se ai ka CV brilante. I nis ajo me firmën e tij te Pavarësia e Shqipërisë dhe i mbaron në dhjetëra libra, memuarë dhe damarë me diamante idesh e projektesh.

Sot Liqeni kishte marrë hije trishtimi. Sikur e kuptoi që atje, nga një dorë banditi u dhunua mendimi. E çfarë mendimi! Ai 24 karatë…

Zjarr Tv Ad