Ish-kryetari i KQZ-së Denar Biba, këtë herë mësohet se është vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me tenderat e dhënë, ku dyshohet se i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 160 milionë lekësh.
Lajmi është bërë publik nga gazetari Flamur Vezaj, i cili sqaron se shkelja është evidentuar nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vezaj shprehet se ky audit i KLSH-së është mbajtur i fshehtë për mediat duke i bërë favorin e parë Bibës.
Më tej gazetari thotë se prokuroria duhet të ecë me hetimet pasi KQZ-ja është institucioni që duhet të garantojë votën e qytetarëve shqiptarë.
Reagimi i Vezajt:
Ish-Kryetarit të KQZ-së Denar Biba, këtë radhë treni i është ndaluar në stacionin e prokurorisë! Po po, te prokuroria e Tiranës e cila po verifikon procedurat e 20 tenderave që dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar!
Sipas auditimit, vetëm në 4 procedura tenderimi dyshohet se me firmën e Bibës shtetit i është shkaktuar një dëm prej 160 milion lekë! Ku vetëm në tenderin e fletëve të votimit, KLSH-ja thotë se shtetit i është shkaktuar një dëm prej 120 milionë lekë! Ja pra Ky material voluminoz i firmosur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tashmë ndodhet në duart e prokurorisë së në muajin nëntor të vitit të kaluar!
Në këto materiale kallëzuese, bëhet fjalë për 12 procedura tenderimi gjatë vitit 2016 dhe 8 të tjera në vitin 2017 që mbajnë firmën e “negociatorit profesionist” Denar Biba, thënë ndryshe “ushtarit të besuar” të Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë! Por përderisa nuk kemi një vendimmarrje nga prokuroria, kjo mbetet në fazën e dyshimeve që Biba ka abuzuar me pushtetin duke paracaktuar dhe favorizuar kompani të ndryshme në tenderat për materiale zgjedhore!
Tashmë nuk dihet se sa kohë i duhet prokurorisë së Tiranës, që të zbardhë të gjithë shkeljet e kryera nga Biba dhe ish-vartësit e tij në procedurat e tenderimeve në formën “Negocim pa Shpallje”! Por ajo që çudit në këtë rast është standarti i KLSH-së që fsheh kallëzimin dhe raportin final të auditimit! Në rastin e “negociatorit Biba” siç duket edhe drejtuesit të KLSH-së i ka “ardhur treni te dera” çka e ka favorizuar ish-kryetarin e KQZ-së, duke mos ia bërë publike raportin e shkeljeve e hiç më pak materialin kallëzues të dorëzuar në Prokurori!
Pra ne habitemi që prokuroria nuk ka hetuar hajdutët e votave në Durrës, Dibër e gjetkë dhe harrojmë se duhet hetuar edhe “hajdutët” e institucionit që kanë për detyrë organizimin dhe numërimin e votave në Shqipëri! Hetoni, mos e favorizoni Bibën se do i ikë treni!