Zjarret në Australi vazhdojnë të zhdukin qindra hektarë tokë pyjore çdo ditë. Organizata Botërore e Meteorologjisë njofton se ngrohja globale po luan një rol kryesor në përhapjen e flakëve. Kushtet pritet të vështirësohen në fundjavë me rritjen e temperaturave dhe erërave.
Zjarret në Australi kanë djegur një hapësire toke prej 1,1 milionë hektarë.
Rreth 150 vatra masive zjarri janë ende aktive në rajonet e Nju-Sauth-Uellsit dhe Kuinslendit në lindje.
Të paktën 50 banesa u shkatërruan ose morën dëme të martën nga flakët që vijojnë prej një jave.
Autoritetet informojnë se nuk janë raportuar viktima.
Për Organizatën Botërore të Meteorologjisë, nxitës kryesor i fenomenit mbetet ngrohja globale.
“Në muajt janar-tetor 2019, Australia ka regjistruar temperaturat më të larta prej 110 vitesh, ndërsa reshjet janë nga më të të ulëtat që prej regjistrimit fillestar,” deklaroi përfaqësuesja e organizatës.
Përhapja e zjarreve në Australi është ndihmuar nga faktorë si mungesa e lagështisë, nxehtësia dhe shpejtësia apo drejtimi i erës.
Në terren po qëndrojnë në gatishmëri mbi 3 mijë forca zjarrfikëse, autozjarrfikëse dhe mjete ajrore.
Një prej helikopterëve pësoi aksident të mërkurën duke u rrëzuar, por piloti arriti të mbijetojë.
Autoritetet po përpiqen të kontrollojnë zjarrin brenda perimetrave të caktuar, pasi avancimi i tyre veri të kryeqytetit Sidnej do të rrezikonte djegien e një parku të madh kombëtar.