Në kuadër të “Ditës Botërore të personave me sindromën Down”, ditën e sotme dhjetëra persona kanë kryer një marshim sensibilizues në parkun ‘Rinia’.
Për të nderuar personat e prekur me sindromën Down, 21 Marsi shënohet si ditë zyrtare nga ‘Kombet e Bashkuara’ që nga viti 2012, dhe një ditë më parë të shumtë janë prindër e fëmijë që me pankarta në duar synojnë promovimin e të drejtave dhe nevojave të këtyre personave në mënyrë që të gëzojnë një jetë më gjithëpërfshirëse.
Kjo datë është përzgjedhur për shkak se personat e prekur nga kjo sindromë kanë një kromozom shtesë në kromozomin e 21-të.
Në një prononcim për ‘Fax News’ aktorja Monika Lubonja, e cila mbante për dore një nga vogëlushet me aftësi ndryshe tha se qeveria duhet të bëjë më shumë për ta.
Lubonja: Sot do marshoj me këta fëmijë të mrekullueshëm. Ne jemi njohur në një intervistë dhe ajo erdhi e më dhuroi një surprizë e plot dashuri. Duhet mbështetje nga qeveria dhe gjithë qytetarëve për këta fëmijë dhe prindërit e tyre, uroj të rriten me paqe.
Mamaja e Eris shpjegon se rritja e një fëmije do shumë përkushtim dhe ka vështirësitë e veta, sidomos kur ka aftësi ndryshe.
“Ka shumë vështirësi, sepse shteti nuk u ofron asnjë lloj terapie. Unë kam 8 vite që e çoj nëpër kurse, terapitë u duhen që nga dita e lindjes. Ne duhet të lëmë punën për këto terapitë e përditshme, dhe oraret janë të kufizuara”-tha ajo.