Do flas – Besnik Palnikaj (Interpreton Laureta Kodra Shima)

0
153
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Po po do t’flas, aq sa toka të dridhet
Edhe sikur qafa në kaush t’më lidhet.
Do t’flas e do t’qaj hallet e vëndit tim
Që n’midis t’Europës ka mbetë jetim.
Do t’flas e t’shpërthej se nuk duroj mà
Qytetar të braktisun pa shtet dhe pa zà.
Shqiptarët e mi vëllazen të pa shpresë
Qindra vite vuejtje, 20 të tjerë harresë.
Sa keq më vjen që shtypjen e pranoni
Edhe vendin tuej aspak nuk e mbroni.
Fleni në gjumë, po ne shpine keni thikë
Se prej gjumit tuej kërkush nuk ka frikë.

Pse ndyhet ajri, bahet helm i zi?
Pse ikun Shqiptarët në jug dhe n’veri?
Pse përmbyten shpitë dhe gjaja e gjallë?
Pse në verë zjermit nuk mund ti bajmë ballë?
Pse droga lulëzon nën hundën e shtetit?
Pse shkollohen jashtë fëmijët e deputetit?
Pse pyjet po zhduken nga dita në ditë?
Pse po fshehet populli, prej kuj ka frikë?
Pse krimineli shihet tue bredhë në liri?
Pse i falet deti Grekut o vëllaznit e mi?

Boll u coptuem u rjepme së gjalli
Politikë e ndytë e ardhur prej djalli.
I drejtoni gishtin kuj ju del përballë
Me kollare lidhun nën jakën e bardhë.
Eh, të vraftë vuejtja që i bane ktij vendi
Do m’duhet nji shekull t’gjitha ti përmendi,
I shtove vetëvrasjet kur mjaft vetë po vret
Mue ma vën kambën hajdutin e ban mbret.

Diku grabitet ari diku grabitet banka
Diku kapet shteti i lidhun me banda.
Diku kapet hori me brekë nëpër kambë
Krevatin në zyrë dhe jargë nëpër dhambë.
Diku kërkojnë lek për një firmë a vulë
Zyre pa dritare që i vjen era shurrë.
Si mund të bahet shteti ç’do kush tue vjedhë,
Ku s’pushon hajduti as ditën me diellë.

Të vjedh spitali të vjedh ´drejtësia´
Të vjedh avokati të vjedh farmacia.
Të vjedh tregtari me kandar të vjetër
Të vjedh energjia të shton pak ma tepër
Të vjedh AMC-ja të vjedh VODAFONI
Të vjedh kompania që shtron rrugë betoni.
Të vjedh policia me gjoba kuturu
Të vjedh dhe bashkia me to gjithashtu.
Të vjedh karburanti që e ndynë qytetin
Të vjedh halabaku që e ka mirë me shtetin.

Vëllazen dhe motra, pra Shqiptarët e mi
Pash besën e Zotit dhe dritën në sy
Mos u kapni mes veti për fe as parti
Por të bahena bashkë për Nanen Shqipni,
Të çohena të tanë n’se e gjykojmë me vend
Nga horat në politikë mos t’marrim mend.
Ta bajmë shtetin – SHTET në ç’do fushë gjithkund.
Kjo politikë e zezë krejtë të marrin fund.
Ta kthejmë Shqipëninë të paster me hijeshi
Ti trashëgojmë fëmijëve një shtet me liri.
Të thonë ma vonë brezat që t’pakten u përpoqme,
Dhe jo që e rrënuem vendin dhe në flakë e dogjëme.

Besnik Palnikaj

Zjarr Tv Ad