Avokati Genc Gjokutaj ka marrë pjesë në protestën që u zhvillua në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha, poshtë banesës së këtij të fundit.
Ai u shpreh se procesi ndaj Berishës është politik dhe u betua para mbështetësve të ish-kryeministrit se shumë shpejt do ta lirojnë nga arresti në shtëpi.
Gjokutaj komentoi dhe vendimin e sotëm për shtyrjen e seancës ndaj Berishës që do të shqyrtonte ankimimin e vendimit të SPAK për të mos e lejuar në Kuvend, ku tha se qëllimi është djegie e mandatit.
“Ne kemi bërë një kërkesë që Berisha të shkojë në parlament, atje ku ka vendin lideri i lirisë. Kjo është një kërkesë që e kërkon ligji, që e detyron gjykatën ta bëjë. Ata e shtynë sepse nuk kish pas njoftim Berisha. Ndërsa në tetor kish njoftim kur s’kishte njoftim. Ky është një skenar i SPAK me GJKKO me qëllimin politik të zbatuar nga instrument Juridik për djegien e mandatit. E denoncoj se ky proces i liderit të demokracisë brenda një afati të arsyeshëm.
Për herë të katërt sot kërkuam përjashtimin e një gjyqtareje që i ka hyrë detit në këmbë me urdhër politik. Ne do ta vazhdojmë dhe do ta fitojmë këtë luftë, sepse nuk ka çështje penale, por politike.
Do ta mbysim anijen e Edi Ramës, kjo kërkon që me njëri tjetrin të flasim cdo ditë se na ka ardhur te dera. E vetmja alternativë që kemi, me pushkë pa pushkë, me penë pa penë, duhet të ecim përpara. Ju betohem se dr Berishën, që është simboli i lirisë, shpejt do ta nxjerrim. Sepse duke mbrojtur Berishën, PD dhe opozitën në përgjithësi, i kemi bërë shërbimin me të madh familjeve tonë, njerëzve tanë. Sot është dita më e mirë, ditët e zeza pastaj vijnë”, tha Gjokutaj, avokati i Berishës.