Pala greke në pikën doganore të Kapshticës ka njoftuar ndryshimin e kushteve të grevës së paralajmëruar nga Sindikata Doganore përsa i përket hyrje-daljeve në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës. Pala greke i ka bërë me dije Policisë Kufitare të Kapshticës se gjatë 48 orëve të grevës së datave 2-4 Prill, do të ketë një ndryshim lidhur me lëvizjen e mjeteve të vogla të cilët do të lëvizin në të dyja anët e kufirit, 1 orë, në harkun kohor të 4 orëve. Kushtet e tjera të grevës mbeten të njëjta, që do të thotë se nga data 2-4 Prill nuk do të lejohen hyrje-daljet e mjeteve të transportit të mallrave, të autobusëve dhe shërbimit taksi.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila thotë se për qarkullim do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
“Në vijim të informacionit të dhënë nga Policia e Shtetit, ditën e djeshme, ju informojmë se, Policia Greke ka njoftuar Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pika doganore greke në Kapshticë, do të jetë e mbyllur për shkak të protestës nga sindikatat greke. Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore. Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe do të ketë njoftime të tjera në kohën e duhur, për çdo ndryshim“, njoftoi policia.