Sot më thirri Berisha! Tek për tek!
Ndodhi që u takuam ( në dy aktivitete para protestës së 7 korrikut ) në publik.
– Armir! – më tha Doktori – Të kam ndjek me shum’ vmendje në fjalën tande! Kam mbajt edhe shnime…
Unë rrallë emocionohem, por atë ditë realisht e pashë që kur unë flisja ai shkruante. Mendova atë ditë se po bënte vizatime kot, siç bëjmë ne kur duam ti tregojmë folësit që po nxjerr ar nga goja por që në fakt themi ” aman kur po mbaron”! Po qenkam gabuar. Berisha i paskësh mbajtur shënim pikë për pikë ç’ i thashë. Kjo më emocionoi sa s’thuhet.
– …Pra, më thuej. Ç’ke parasysh ti me “nji platformë kombtare”?
Ia shpjegova fije për pe dhe ai …. mbajti shënim mor! Ah! Se desh harrova! Që në fillim më kërkoi ndjesë që këta 32 vite as një kafe s’ka qëndruar të pijë me mua…. Nejse! I thashë se duhen ca pika si tip programi, si orientim. Siç doli në 2005 “me duar të pastra” apo “do luftojmë krimin e organizuar”. Ai nënqeshi
– Mos më thoni që i keni gati doktor?
– Gati Armir! – buzëqeshi sërish – Por na duhet ta pjekim ende, ndaj po takoj njerëz të mençur e me vlera si ty.
Një valë të nxehti më pushtoi befas! Nuk di ta përshkruaj qejfin nga ky kompliment drejtpërdrejt i Sali Berishës për mua.
– Më lejoni edhe diçka tjetër doktor- guxova. – Kujdes në PD!! Janë bërë grupe – grupe. Gjoja për të të mbështetur ty, por as që ju rruhet fare për ty! Mezi presin të ikësh ti që të vazhdojnë ….
– E di Armir! – më foli butë – Por ata nuk kanë të ardhme! Koha e tyre ka perënduar. Njerëz me integritet si ti do të merrni në dorë PD-në e më pas Shqipërinë…
Nuk e përshkruaj dot dridhjen që më përshkoi gjithë trupin. Iu hodha sipër, e shtrëngova, e përqafova dhe thërrisja: ” Doktor! Doktor”!
Në të njejtën kohë mu bë edhe si zëri i mamasë:
“Doktor! Doktor! Djali!! Po më ikën djali….”!!
Hapa sytë…. Mbi kryet e mi qëndronte një burrë me të bardha.
– Ku është doktori? – belbëzova
– Ja! – ulëriu mamaja me duart drejtuar nga burri me të bardha – shpirti mamit! Falemnderit Zotit u përmende!
– Ku është Berisha? – thirra si dem i tërbuar
– Qetësohu Armir! – më tha doktori me të bardha por që nuk qe Doktor Berisha. – Një goditje dielli por nuk besoj të ketë pasoja….
– Ku shkoi Doktor Berisha? Saliiii! – klitha me dëshpërim
– Djjjaliii! -klithi mami – Doktor më shpëto djalin!!!
– Mos u shqetëso nëno – i foli ky me të bardha. Mbaje me kompresa të ftohta në ballë dhe akull pas koke.
– O doktor Berishaaaa! Po nuk më dëgjove deri në fund bre doktor… – vazhdova unë.
– ….nëse deri në darkë vazhdon ëndrra me Berishën, na e sillni tek urgjenca e spitalit 5