Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit këtë mëngjes në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Ai qëndroi më pak se një orë para prokurorëve, të cilët i rikthyen edhe hard diskun e laptopit.
“Sot ishte e premte, që është dita e paraqitjes. Mora dhe hard drive me të dhënat e laptopit, që u sekuestruan në apartamentin tim në 28 dhjetor”, tha Beqaj për medias pasi la ambientet e SPAK-ut.
Për Beqajn, është në fuqi masa e dhënë nga Gjykata e Posaçme, “detyrim paraqitje”.
Situata e ish-ministrit të Shëndetësisë, u rëndua gjatë muajit nëntor 2023, pak muaj pasi SPAK mori aprovimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit personal, arrest me burg për biznesmenin Ilir Rrapaj.
Beqaj vazhdimisht ka deklaruar se vetëm ka kryer detyrën, ndonëse nga ana tjetër SPAK disponon dokumente, nga të cilat dyshon se Beqaj me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka shpërdoruar detyrën.