Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shpalli të mërkurën më 6 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit, Çlirim Sino. Vendimi për shkarkimin e prokurorit Sino u mor nga trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Olsi Komicin.
Gjatë seancës dëgjimore të hënën më 4 korrik, Sino u përball me barrë prove në lidhje me një bilanc negativ prej 2 milion lekësh në blerjen e një makine në vitin 2015, si dhe një bilanc negativ shkaktuar nga transaksionet mes llogarive të biznesit të bashkëshortes dhe llogarive të saj personale.
Prokurorit iu kërkuan shpjegime edhe në lidhje me çështje të nxjerra nga një raport negativ i DSIK-së dhe kërkesa për shpjegime në lidhje me dosjet e hetuara prej tij.
Përfaqësuesja e prokurorit Sino, avokatja Antoneta Sevdari këmbënguli se disa nga pasuritë e subjektit të rivlerësimit nuk ishin objekt i vetingut për shkak të kohës kur ishin krijuar, megjithatë ajo theksoi se ishin sjellë prova edhe për këto raste. Ndonëse nga Sevdari u pranuan disa pasaktësi në deklarime, ajo arsyetoi se mënyra e deklarimit të kursimeve nga Sino dëshmonte pakësimin apo shtimin e pasurisë.
Vetë prokurori dha shpjegime sa i përket dosjeve që kishte hetuar, ndërsa tha se KPK pas hetimeve kishte rrëzuar raportin negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK.
Çlirim Sino e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Fier prej një dekade e gjysmë.